Për të shënuar Ditën Botërore të Ndryshimeve Klimatike (4 Nëntori), u bashkëngjit edhe Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë. Instituti për mjedisin jetësor dhe shëndet së bashku me studentët, profesorët dhe menaxhmentin e Universitetit, të martën (4 nëntor 2014), organizoi aksion për pastrimin e kampusit dhe forum shkencor.
Aksioni, siç tha rektori Prof. Dr. Zamir Dika ka një porosi simbolike, që çdo qytetarë, organizatë, apo institucion, me veprime konkrete të kontribuoj që qyteti ynë të ketë mjedis më të pastër ekologjik.
Në pjesën e dytë të shënimit të kësaj dite u mbajt forum shkencor me temë: “Ndryshimet klimatike dhe Maqedonia”. Qëllimi i këtij forumi ishte shqyrtimi dhe aktualizimi i gjendjes së ndryshimeve klimatike në Maqedoni.
Në këtë forum mori pjesë edhe ambasadori Italian në Maqedoni, Sh.T. Ernesto Beleli, i cili vlerësoi punën që bëhet për mbrotjen e mjedisit jetësor.
Forumin e shpalli të hapur rektori Zamir Dika, i cili u shpreh se ndjehet i privilegjuar, që është nikoqir i kësaj ngjarjeje, pasiqë UEJL -ja paraqet urën lidhëse të kësaj problematike.
Sipas tij, nëpërmjet takimeve të këtilla sigurohen dëshmi për atë se çfarë mund të bëhet për mjedisin tonë dhe në përgjithësi për planetin tonë. Si universitet, në tërësi e kemi zbatuar planin klimatik, i cili është në harmoni me politikën e efikasitetit energjetik. Mbetet detyrimi ynë, që të krijojmë kulturë ekologjike dhe bilanc rajonal hapësinor.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, z. Nurhan Izairi. Ai në fjalimin e tij, tha se kjo ministri, duke i ndjekur kahet dhe kërkesat e Qeverisë së RM-së, duke përkrahur Programin e Zhvillimit të OKB-së dhe në koordinim me faktorët relevantë (ministritë, institucionet, opinionin shkencor, pronarët, asociacionet qytetare, etj.) i ka hartuar tre raportet nacionale për ndryshimet klimatike.
Ministri përsëriti apelin për sjellje më të përgjegjshme ndaj mjedisit jetësor të secilit individ, sepse siç tha ai, vetëm nëpërmjet kujdesit të përbashkët arrihen rezultate.
