“Gjithmonë kam kënduar duke gjetur këngën dhe fjalën e bukur dhe këtë e kam gjetur te shkrimtarët tanë, ndërsa fjala e bukur më ka përcjellë dhe unë kam vrapuar pas saj”, tha autori i librit Ilir Shaqiri, para shumë studentëve dhe profesorëve.
Rexhep Qosja në parathënie të librit ka shkruar se romani i Ilir Shaqirit “Tan Temali” është një roman për ngjarje historike dhe kulturore që kanë shënuar jetën e brezit tonë: jetën e brezit që e krijoi lëvizjen kombëtare e cila, më në fund, solli atë që aq gjatë është ëndërruar prej gjithë brezave shqiptarë: solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në fjalimin e tij të rastit, udhëheqësi i Katedrës së Gjuhës Shqipe në UEJL, Prof. Dr. Zeqir Kadriu, tha se prurjet e Ilir Shaqirit, sa i përket letërsisë shqiptare janë befasuese, kurse edhe me befasuese është fjalori që përdor, posaçërisht fjalët e rralla, të cilat e pasurojnë leksikun e shqipes.
