Rektori i Universiteti të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, të mërkurën (1 tetor 2014), nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me USAID-in dhe LCIF (Lions Club International Federation) përmes Lions Club Macedonia, si fitues i grantit për projektin e hulumtimit në fushën e aplikimit të teknologjive informatike.
Projekti titullohet “Fëmijët me pengesa në të pamurit” dhe ka për qëllim përfshirjen e fëmijëve me pamje të dobësuar dhe të verbër në sistemin arsimor, duke zhvilluar softuerë për përkthim të teksteve shkollore për arsimin fillor nga të gjitha gjuhët, në të cilat zhvillohet mësimi në gjuhën Braille, pajisjen e pesë shkollave me teknologji ndihmëse, trajnimin e mësimdhënësve në këto shkolla, si dhe parandalimin e sëmundjeve të syve me ekzaminimin (screening) të hershëm të fëmijëve.
Partner të UEJL në këtë projekt, do të jenë Ministria e Arsimit dhe Shkencës , Unioni i të Verbërve të Maqedonisë, etj.
Granti është me vlerë pesëqind mijë dollar dhe do të zbatohet për 30 muaj.
