“Me këtë vendim ne duam të vlerësojmë kontributin e miqve ndërkombëtare, të udhëheqësisë së mëparshme dhe të tanishme, stafit dhe studentëve të Universitetit të Evropës Juglindore për investimin dhe punën e bërë në promovimin e cilësisë së arsimit të lartë në Maqedoni”, tha ministri Ademi.
Unë dhe qeveria, do të jemi përkrahës të këtij Universiteti jo vetëm me mjete nga nga buxheti, por do ta kyçim atë edhe në të gjitha projektet tjera të ministrisë, siç janë bursat për studime pasdiplomike, ofrimin e literaturës shkencore të fundit të përkthyer në gjuhën shqipe dhe në projekte të tjera që i ka kjo ministri, tha ministri Ademi, duke nënvizuar se "UEJL është një ndër universitetet më të mira në Maqedoni".
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, e cilësoi si një hap të rëndësishëm këtë vendim të Qeverisë.
“Në emër të stafit dhe studentëve, si dhe të udhëheqësve ndërkombëtare, ju falënderoj për këtë akt të vlerësimit të UEJL, duke e inkorporuar atë si pjesë të buxhetit të shtetit. Ju uroj për këtë vizion, i cili padyshim do të ndihmojë në optimizimin e arsimit të lartë, sidomos në këto troje. Me këtë akt, pra, ju keni kontribuar që të rritet financimi nga ana e qeverisë i arsimit të lartë në gjuhë shqipe. Kështu, duke dëshmuar përcaktimin për respektimin e vlerave shumëgjuhësore dhe shumëkulturore në arsimin e lartë, duke dëshmuar para miqve ndërkombëtarë se e çmoni këtë investim dhe kontribut të qytetarëve amerikanë e evropianë. Prandaj, ne, do të vazhdojmë të jemi kontribuues në të gjitha iniciativat për përmirësimin e sistemit të arsimit të lartë në Maqedoni dhe jemi të gatshëm që çdo eksperiencë te kultivuar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë ta ndajmë me të gjitha institucionet e arsimit të lartë, këtu dhe mëtej”, tha mes tjerash rektori Dika.
Rektori Dika, ministri Ademi dhe anëtarët e Bordit dhe Senatit të Universitetit të Evropës Juglindore realizuan një shëtitje në kampusin e Universitetit, ku ishin të mirë pritur nga stafi dhe studentët.