Të martën (24 qershor 2014), në Universitetin e Evropës Juglindore, mbajti një ligjëratë ish-Guvernatori i Vermontit (SHBA) dhe kandidat për nominim presidencial (2004), i Partisë Demokratike, Dr Hauard Din (Howard Dean), i shoqëruar nga drejtori regjional i NDI, Robert Benjamin dhe drejtori i NDI Maqedoni, Kris Henshou. Parparkisht, ai u takua me rektorin e Universitetit, Prof. Dr. Zamir Dika, ku ky i fundit e njohu atë me punën, kushtet dhe mundësitë e studimit që ofron Universiteti.
Në debatin e zhvilluar, para përfaqësuesve të organizatave joqeveritare dhe studentëve nga universitete të ndryshme në Maqedoni dhe të interesuar të tjerë, rektori Dika vlerësoi lartë kontributin e NDI-së për demokratizimin e institucioneve dhe subjekteve politike në Maqedoni, duke theksuar faktin se për këtë universitet është nder i veçantë të jetë nikoqir Hauard Din.
Gjatë ligjërimit të tij, Hauard Din foli mbi demokracinë, liritë dhe të drejtat e njerëzve dhe zhvillimet aktuale politike në botë, duke nxjerrë në pah eksperiencën e tij si politikan dhe aktivist. Ai, gjithashtu foli edhe mbi fuqinë që ka sot rinia për të ndryshuar gjërat përmes Internetit dhe teknologjisë së informacionit. Me kë rast, ai përmendi disa praktika të mira për njerëzit e rinj, të cilët sipas tij “kanë sjellë ndryshime ne vendin e tij ose në botë”.
Vlen të theksohet se aktualisht, Hauard Din është kryetar i bordit të NDI-së dhe këshilltar i pavarur, duke u fokusuar në çështje të ndryshme, si: zhvillimi i hershëm i fëmijërisë, burimet alternative të energjisë, kujdesi shëndetësor, etj.
