Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe shumë prindër, të cilët së bashku me maturantët patën mundësinë të njihen nga afër me ambientin universitar, programet studimore dhe kushtet që ofron UEJL për studim dhe zhvillim profesional.
Aktiviteti nisi me hapjen zyrtare, ndërsa gjatë ditës u zhvilluan prezantime të fakulteteve nëpër stenda, ku vizitorët morën informacione të drejtpërdrejta nga stafi akademik dhe studentët. Në kuadër të programit u organizuan edhe demonstrime praktike dhe aktivitete interaktive, përfshirë simulime në laboratorin e forenzikës, eksperimente nga shkencat sociale, simulime në VR Lab, si dhe prezantime nga Fakulteti i Shkencave të Shëndetit me demonstrime të teknikave terapeutike dhe simulime të ndihmës së parë. Fakulteti I Biznesit dhe Ekonomisë mbajti Garën për Biznes Planin më të Mirë, në të cilën u prezantuan ide të shum,ta dhe mjaftë kreative nga maturantët.
Pjesë e programit ishte edhe një shëtitje në kampusin universitar, ku maturantët vizituan objektet kryesore si Rektoratin, bibliotekën, laboratorët, konviktin dhe hapësirat mësimore, duke parë nga afër funksionimin e përditshëm të universitetit.
Atmosfera u pasurua me aktivitete sportive nga Departamenti i Sportit dhe Parlamenti dhe Asociacioni Studentor, aktivitete artistike nga Biblioteka “Maks van der Shtul”, prezantime kreative dhe program muzikor, duke e bërë këtë ditë një përvojë të plotë informuese dhe argëtuese për të gjithë pjesëmarrësit.
Dita e Hapur në UEJL dëshmoi edhe një herë interesimin e lartë të të rinjve për studime cilësore dhe mundësitë që ofron ky institucion për ndërtimin e karrierës së tyre të ardhshme.
