Qëllimi i vizitës së ministrit Saraqini ishte motivimi i studentëve për të aplikuar në këto aktivitete programore, ku përmes idesë së mirë për biznes studentët mund të fitojnë përkrahje financiare deri në 300 mijë denarë.
Ministri i Ekonomisë potencoi se afati i fundit për aplikim është 25 shkurt 2014, duke kërkuar nga profesorët që t’i motivojnë studentët për të aplikuar në Ministrinë e Ekonomisë në thirrjen e shpallur.
Rektori Prof. Dr. Zamir Dika, theksoi se UEJL vazhdimisht përkrah studentët, të cilët planifikojnë të fillojnë bizneset e tyre dhe përshëndeti iniciativën e ministrit Saraqini, e cila siç tha ai, është përkrahje e madhe në këtë drejtim.
„Ne jemi shumë të interesuar dhe i përcjellim politikat të cilat mundësojnë punësimin e studentëve, prandaj që të jemi në përputhje me kërkesat e tregut, e kemi formuar edhe Parkun teknologjik. Për këtë arsye, iniciativa e Ministrisë së Ekonomisë vepron në pajtim me përpjekjet tona. Sipas statistikave tona, 50% të studentëve të diplomuar në universitetin tonë janë të punësuar në sektorin privat, rreth 40% në sektorin publik, ndërsa 10% prej tyre kanë filluar biznesin personal.”, deklaroi Dika.
Biznesmeni dhe pronari i kompanisë “Renova”, Shefki Idrizi tha se sikur të kishte një përkrahje kaq të madhe gjatë kohës së tij, ai do të kishte një kompani edhe më të madhe.
Studentët dhe sipërmarrësit e rinj, të cilët do të aplikojnë në thirrjen publike për ide të biznesit dhe idetë e të cilëve do të zgjidhen në rrethin e ngushtë në mesin e 40 kandidatëve më të mirë, do të fitojnë të drejtën për pjesëmarrje në trajnim të përbërë prej 13 moduleve, me qëllim që të aftësohen në mënyrë adekuate për inkorporimin e ideve të tyre në planin e biznesit.
