Fillimisht, Ramë Buja studentët dhe profesorët e pranishëm i ka njohur me formën e qeverisjes së shtetit dhe për pozitën dhe rolin e Kuvendit të Kosovës, për atë se si funksionon ai, etj. Sipas tij, pozita dhe roli i Parlamentit është përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës, ku sipas dispozitave të ligjit themeltar të shtetit, Kuvendi i Kosovës është institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i Kosovës. Si i tillë, Kuvendi ka përgjegjësi të miratojë ligjet dhe rezolutat në fushat e përgjegjësisë së institucioneve, zgjedh Kryesinë e Kuvendit, kryetarin e Kuvendit, miraton kandidatin për kryeministër së bashku me listën e ministrave të Qeverisë, të propozuar nga kandidati për kryeministër, shqyrton dhe miraton marrëveshje ndërkombëtare të propozuara, brenda fushës së përgjegjësive të veta; vendos për mocionet e votëbesimit ndaj qeverisë, etj.
Gjithashtu, studentët kanë mësuar se Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë përfaqësues, përbëhet prej 120 deputetëve të zgjedhur me vota të fshehta. Megjithatë, ata kanë mësuar edhe për faktin se jo të gjithë deputetët zgjidhen me votën e lirë të popullit, pra, me votim të fshehtë dhe demokratik. Kështu, “ka karrige të deputetëve që janë të rezervuara për përfaqësim plotësues të komuniteteve të tjera joshqiptare të Kosovës, sidomos për komunitetin serb”, sqaruan zyrtarë të Kuvendit të Kosovës. Në zgjedhjet e fundit të 17 nëntorit 2007, kishte fituar Partia Demokratike e Kosovës, kurse në vend të dytë ishte radhitur LDK-ja. Pikërisht këto dy parti tashmë e përbëjnë shumicën parlamentare dhe janë në koalicionin udhëheqës të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Udhëheqësit e grupeve parlamentare duke u përgjigjur në pyetjet e shumta të studentëve të UEJL, thanë se ekziston konsensus i plotë i subjekteve politike dhe i qytetarëve të Kosovës për integrimet evro-atlantike, që sipas tyre ky fakt paraqet një kapital të mrekullueshëm për shtetin. Megjithëkëtë, ata vunë në pah faktin se nuk mjafton vetëm vullneti i mirë, por nevojitet një punë e madhe e institucioneve në rrugën e integrimeve evro-atlantike dhe klimë shoqërore për përmbushjen e standardeve të nevojshme dhe reformave për procesin e integrimeve.
Në fund, vlen të theksohet se kjo vizitë u realizua vetëm një ditë pas vizitës së nënpresidentit amerikan, Joseph Biden, ku ende komentoheshin me emocione fjalët e tij që i kishte thënë në Prishtinë se “një Kosovë e tërë dhe e pandarë është absolutisht thelbësore". Mikpritësit këtë emocion ua kishin përcjellë edhe studentëve, duke cituar nënpresidentin Biden se “njohja e pavarësisë nga Shtetet e Bashkuara është një proces i pakthyeshëm”.