Rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, në fjalimin e tij, në hapjen e konferencës, tha se “Debatet e tilla si ky që po organizohet tani hedhin dritë më shumë në kontributin që po jep komunikimi gjuhësor brenda një komuniteti dhe komuniteteve të ndryshme dhe kjo vërteton thënien e dikurshme të albanologut tonë të nderuar Eqrem Çabej se, vendi që zuri ndër shekuj populli shqiptar në brigjet e Adriatikut e të Jonit, do të përcaktonte edhe fatet historike të gjuhës e të kulturës së tij”.
Konferencën e përshëndeti edhe dekani i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Benxhamin Kiting. Ai, e vlerësoi lartë temën e konferencës, duke u shprehur se “Gjuha është shenjë dalluese e secilit dhe nisur nga ajo se në cilën gjuhë flasim, të tjerët na njohin se nga cili vend vijmë”.
Akademik Emil Lafe, në fjalën e tij përshëndetëse tha se “jam i nderuar, që gjendem në këtë vatër të dijes dhe kulturës shqiptare. Ky Universitet është shembull edhe për universitet tjera për rëndësinë që i jep shkencës dhe hulumtimeve shkencore”
Lidhur me temën e konferencës folën Prof. Zeqir Kadriu, Prof.Mustafa Ibrahimi, Prof. Hamit Xhaferi, Prof. Vebi Bexheti dhe Mr. Demush Bajrami.
Konferenca vazhdon punimet në seanca plenare, ku lexohen kumtesat e pjesëmarrësve.