Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Nënshkruhet Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Evropës Juglindore dhe kompanisë Ecolog

Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) dhe Kompania Ecolog, të martën (14 maj 2013) kanë nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi, ku theksohet bashkëpunimi, objektivat, vizioni dhe partneriteti ndërmjet të dy palëve. Kjo Marrëveshje në veçanti e thekson partneritetin ndërmjet UEJL-së dhe kompanisë Ecolog dhe bashkimin e forcave të tyre në zhvillimin dhe realizimin e programit të ciklit të dytë Menaxhimi me Projektet i përshtatur për të ndjekur trendet e industrisë/tregut të punës dhe kujdeset jo vetëm për nevojat kompanisë Ecolog, por edhe punëdhënësit tjerë vendor dhe ndërkombëtarë që veprojnë në kontekst ndërkombëtar dhe global.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një ceremonie solemne në ambientet UEJL-së nga rektori i këtij Universiteti Prof. Dr. Zamir Dika dhe kryetari i bordit këshillëdhënës të kompanisë EcologZ. Lazim Destani, duke materializuar iniciativën e përbashkët në mes të industrisë dhe institucioneve të arsimit të lartë, e para e këtij lloji në përmasa të tilla në Maqedoni.

Bashkëpunimi do të zhvillohet në një institut të akredituar të përbashkët për menaxhimin e projekteve për të ofruar programe akademike dhe profesionale të certifikuara dhe trajnime të specializuara në menaxhimin e projekteve në përmbushjen e nevojave specifike të industrisë, duke demonstruar edhe një herë se kompania Ecolog dhe UEJL janë lider në sjelljen e risive dhe praktikave më të mira.

Arsyeja më e madhe e këtij bashkëpunimi qëndron, mbi të gjitha, në vullnetin e mire të të dy palëve për të siguruar zbatimin e tendencave të reja në arsimin pasuniversitar, tha me këtë rast rektori Dika.

“Është po aq e rëndësishme se kompania Ecolog dhe familja Destani edhe përkundër një shtrirjeje përmasash ndërkombëtare, nuk e harruan Tetovën dhe hapësirën e këtushme, për të vazhduar bashkëpunimin me ne si Universitet i Evropës juglindore për ngritjen e arsimit të sotëm modern edhe përmes programeve studimore të kësaj natyre”, tha në fjalimin e tij rektori Prof. Dr. Zamir Dika.

Kryetari i bordit këshilldhënës të kompanisë Ekolog, z. Lazim Destani tha se kam kënaqësinë e veçantë që ndodhem në këtë mjedis akademik, ku sot po nënshkruajmë Marrëveshjen për Bashkëpunim ndërmjet Universitetit të Europës Juglindore dhe kompanisë Ecolog.

“Me këtë akt, ne i hapim rrugë bashkëpunimit mes një universiteti model në rajon dhe kompanisë sonë ndërkombëtare.Kjo marrëveshje e ndihmon edhe sektorin e arsimit edhe atë të biznesit për të ecur me dinamikën e zhvillimeve moderne. Këtu shfrytëzoj rastin që t’i falënderohem rektorit Zamir Dika dhe stafit akademik të Universitetit të Europës Juglindore”, tha z. Lazim Destani.

Marrëveshja ndërmjet UEJL-së dhe kompanisë Ecolog parasheh bashkëpunimin në të gjitha aspektet e zhvillimit dhe ofrimit të programit të ciklit të dytë Menaxhimi me Projektet (duke përfshirë, por jo edhe duke u kufizuar vetëm në dhënien e një numri të konsiderueshëm të bursave në bazë të meritës për këtë program), përgjegjësitë e përbashkëta në zhvillimin dhe dizajnimin e kurrikulave (planprogrameve) dhe në shpërndarjen e njohurive gjatë gjithë programit nga profesorët e UEJL-së dhe ekspertët e lëndës me përvojë të gjerë nga industria dhe kualifikimet e njohura akademike në dispozicion për kompaninë Ecolog nëpërmjet qendrave të brendshme të dijes dhe rrjetit të gjerë të kompanisë Ecolog.

Programi i ciklit të dytë Menaxhimi me Projektetështë program i akredituar nga Bordi i akreditimit dhe vlerësimit të Republikës së Maqedonisë dhe është dizajnuar t’i plotësojë standardet e cilësisë së lartë akademike dhe profesionale.

Programi do të ofrohet në vitin e ardhshëm akademik (2013/2014) dhe ka për qëllim të tërheq talentet nga tërë rajoni. Së shpejti, kandidatët e interesuar do të jenë në gjendje të gjejnë informacione të detajuara në lidhje me këtë mundësi të paparë në ueb faqen e UEJL-së.

Google+