Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U mbajt konferencë shkencore ndërkombëtare për procesin e decentralizimit

“Procesi i decentralizimit, tendencat dhe zhvillimet në të ardhmen”, ishte tema e konferencës shkencore ndërkombëtare, që u mbajt të premten (25 janar 2013), në Universitetin e Evropës Juglindore, në organizimi të Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare.

Konferencën e shpalli të hapur prorektori për hulumtime i UEJL-së, Prof. Dr. Blerim Reka, i cili tha se kjo konferencë ka një temë shumë të rëndësishme dhe mbahet në një kohë po aq të rëndësishme.

“Maqedonia është një laborator i mirë i zgjedhur për të hulumtuar këto çështje. Me decentralizimin u bënë hapa para në drejtim të dhënies së më shumë të drejtave komunave”, tha prorektori Reka.

Demush Bajrami, këshilltar i rektorit, tha se decentralizimi nënkupton që vendimet të cilat i përkasin atij niveli të qeverisjes në të edhe të zbatohen. Maqedonia e pas Marrëveshjes së Ohrit duhej të shënonte një epokë të re në jetën politike, përfshi edhe transferimin e juridiksionit të pushtetit vendimmarrës nga qeveria qendrore te qeveritë komunale, por kjo shpesh u përcoll me telashe dhe pa transparencën e duhur.

Në konferencë mori pjesë edhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë, Nevzat Bejta, i cili tregoi përvojën e tij si kryetar komune, deputet dhe ministër në realizimin e këtij procesi në Maqedoni.

“Decentralizimi i pushtetit lokal në Maqedoni filloi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Deri atëherë qytetarët nuk e dinin rolin dhe rëndësinë e komunave. Janë afër 40 ligje që janë miratuar në Kuvend që kanë të bëjnë me procesin e decentralizimit, por më të rëndësishëm janë Ligji për financimin e komunave dhe Ligji për ndarjen territoriale. Komunat duhet të bëjnë më shumë në implementimin e këtyre ligjeve, posaçërisht Ligjin për ndarjen territoriale, ku janë paraparë fonde në vlerë të 1% të BPV. Sa më i fuqishëm pushteti vendorë aq më i zhvilluar vendi. Kemi arritur që në bashkëpunim me Bashkësinë e Njësive të Vetadministrimit Lokal të rrisim mjetet që u ndahen komunave nga TVSH-ja nga 3% në 4, 5% dhe synimi është që kjo shifër të shkojë në 6%”, tha në fjalimin e tij ministri Bejta.

Drejtori i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare, prof. dr. Ylber Sela, i përshëndeti të pranishmit, duke iu falënderuar për pjesëmarrjen në këtë konferencë. Ai tha se qëllimi i konferencës është vlerësimi i procesit të decentralizimit, çfarë është bërë deri më tani, problemet që janë hasur gjatë këtij procesi dhe cilat janë tendencat për të ardhmen.

Republika e Maqedonisë është e ndarë në 84 komuna dhe Qyteti i Shkupit, kurse procesi i decentralizimit ka filluar në vitin 2004.

Në konferencë marrin pjesë hulumtues nga Polonia, Shqipëria, Rumania, Kosova, Maqedonia dhe shtete të tjera të Evropës.

Google+