COVID-19 Information and Protocol

Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U mbajt konferenca gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare, nga pavarësia deri sot

“Gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare, nga pavarësia deri sot”, ishte tema e konferencës shkencore, që u mbajt sot ( 23 nëntor 2012) në Universitetin e Evropës Juglidore në Tetovë, në organizim të Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit.

Në këtë konferencë morrin pjesë studiues të gjuhës dhe letërsisë shqipe nga universitet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Konferenca organizohet me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit Shqiptar.

Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, tha se Datat historike të shqiptarëve shënojnë sinopsisin shpirtëror të ngritjes dhe përtëritjes nëpër shekuj.

“Ndoshta, është krejt rastësi, por ja që ditëlindja e Universitetit tonë është pikërisht në muajin nëntor dhe kësaj radhe përkon me këto ngjarje madhore të kombit tonë. Që në themelim është gdhendur qartë misioni i universitetit, duke ngërthyer në vete përkushtimin për të promovuar gjuhën shqipe në arsimin e lartë, krahas përpjekjeve për arritjen e përsosmërisë në mësim dhe hulumtim.”, tha mes tjerash rektori Dika.

Konferencën e përshëndeti edhe prorektori për çështje akademike i UEJL-së, Prof. Dr. Endrju Godspid, i cili fjalimin e tij përshëndetës e bëri në gjuhën shqipe.

“Këtë vit ju shënoni 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Keni arsye të madhe për të festuar. Pavarësia është vështirë për tu arritur prandaj duhet të mbrohet në mënyrë të vazhdueshme. Këto vite nuk ishin edhe kaq të lehta për Shqipërinë. Luftrat botërore ishin të tmerrshme, vitet e diktaturës ishin të dhimbshme. Por, populli shqiptar sot ka një shtet të fortë dhe të sigurt. Shqipëria, sot është e integruar në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare. Kemi arsye të mirë që të besojmë se 100 vitet e ardhshme, do të jenë më të mira”, tha mes tjerash prorektori Godspid.

Duke cituar disa fjalë të atdhetarit shqiptar Mit’hat Frashëri, këshilltari i rektorit, Mr. Demush Bajrami, foli për rëndësinë dhe rolin e letërsisë shqiptare në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar.

“Gjuha dhe letësia kanë pasur ndikim në ngjarjet dhe vlerësimin e implikimeve të gjeneratave të ardhshme. Letërsia ka krijuar modelin unik të atdhedashurisë, gjë që do të përputhet me vlerësimet historiografike, sepse natyra e gjërave që kanë përvijuar në kalendarin e ndodhive, në kujtesën kolektive dhe identitetin kombëtar, kanë luajtur dhe luajnë një rol të rëndësishëm.”, tha Mr. Demush Bajrami.

Prodekani i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Prof. Dr. Hamit Xhaferi, i përmendi aktivitetet, të cilat i ka organizuar UEJL me rastin e shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.Ai tha se shënimi i këtij jubileu të rëndësishëm më nje konferencë shkencore për gjuhën dhe letërsinë na bënë më të vlefshëm për veten dhe të tjerët.

Pjesëmarrësit i përshëndeti edhe Prof. Dr. Zeqir Kadriu, i cili foli në emër të Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe, duke uruar që kjo konferencë të nxis debat të frytshëm.

Konferenca u zhvillua në dy sesione, ku me kumtesat e tyre u prezantuan autorë të njohur të letrave shqipe.

Google+