Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Universiteti i Evropës Juglindore shënoi 11 vjetorin e themelimit

Me një ceremoni solemne, në praninë e mysafirëve të shumtë nga universitetet mike, përfaqësues diplomatik dhe përfaqësues të pushtetit lokal, profesorë e studentë, të hënën (19 nëntor 2012), Universiteti i Evropës Juglindore shënoi 11 vjetorin e themelimit.

Ceremonia u zhvillua në dy pjesë, ku në pjesën e parë u shfaq një film i shkurtër dokumentar, i cili fliste për cilësinë në Universitet, u promovuan doktorët e shkencave të gjeneratës 2011/2012 të diplomuar në këtë universitet, u ndanë mirënjohje për kompanitë që kanë kontribuuar për Universitetin dhe ngjarja kulmore ishte dhënia post’humus e titullit Anëtar Nderi z. Arben Xhaferi për kontributin e tij në themelimin e UEJL-së dhe zbulimi i mbishkrimit të amfiteatrit të debateve intelektuale me emrin Arben Xhaferi.

Titullin Antar Nderi në emër të të ndjerit Arben Xhaferi, e mori vëllai i tij,Fatmir Xhaferi.

Pjesa e dytë e ceremonisë ishte rezervuar për të punësuarit, ku të gjithë atyre që i kanë mbushur dhjetë vjet punë në Universitet iu ndanë mirënjohje dhe nga një orë dore. Po ashtu, në pjesën e dytë u bë edhe promovimi dhe betimi i anëtarëve të Parlamentit Studentor dhe Avokatit studentor të sapozgjedhur. Në këtë pjesë të ceremonisë u bë edhe pranim dorëzimi i mandatit të kryetarit të deritashëm të Unionit Studentor, z. Pajtim Thaçi. Me këtë rast kryetari i Bordit të Universitetit e falënderoi z. Thaçi për angazhimin dhe kontributin e tij në udhëheqjen e Unionit Studentor.

Duke bërë një përmbledhje të të arriturave, rektori i UEJL-së Prof. Dr. Zamir Dika, tha se ky përvjetor i njëmbëdhjetë i themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore, këtë vit, përveç tjerash, në vete ngërthen tre përkushtime të veçanta që po i ndajmë së bashku sot.

“Përkushtimi i parë është përkushtimi ndaj cilësisë. Jo vetëm për të konfirmuar përkushtimin e universitetit tonë ndaj cilësisë, por njëherësh duke shikuar dhe ndarë me të tjerët bindjen dhe vlerësimin tonë se pikërisht cilësia është kryefjala e një rrezatimi pozitiv në këtë mjedis të arsimit të lartë të disperzuar dhe të masivizuar në Maqedoni dhe rajonin e gjerë.

E kemi zgjedhur këtë përvjetor për të folur për të ardhmen, por duke respektuar dhe mos harruar të kaluarën. Në këtë drejtim është edhe përkushtimi ynë i dytë. Në këtë përvjetor, do të nderojmë kontributin e një njeriu të madh, një mendimtari dhe vizionari të rrallë, që e përkrahu këtë iniciativë që në nismën e vet dhe që lirisht mund të konsiderohet edhe si njëri prej themeluesve të Universitetit të Evropës Juglindore, i ndjeri Arbën Xhaferi.

Përkushtimi i radhës është i përfshirë në misionin e universitetit. Në alinenë e parë të qëllimeve të misionit, në Statutin e universitetit, thuhet se: “universiteti do të kontribuojë në promovimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe”. Pra, sot, bashkërisht po e spikasim këtë dedikim në kuadër të manifestimeve për shënimin e Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar dhe të Flamurit Kombëtar.”,tha mes tjerash rektori Dika.

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, në fjalimin e tij shprehu urimet e tij për 11 vjetorin e themelimit të Universitetit, i cili përkon me festimet e shënimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit Kombëtar.

“Ky përvjetor më obligon dyfish që të përkulem thellë para ideatorëve, themeluesve, kontribuuesve, bashkëpunëtorëve, miqve, studentëve dhe pedagogëve të UEJL-së, të cilët e zbukuruan këtë jubile me këtë ceremoni festive. Duke nderuar të kaluarën, ne punojmë për të ardhmen. Universitetet tona, akademitë, fakultetet, shkollat e qendrat e mendimit shqiptar kudo që janë, sot e në të ardhmen, kanë misionin e shenjtë për të përgatitur gjeneratat e reja për shekullin e dytë të pavarësisë! Universitetet janë e duhet të mbeten laboratorë të mendimit dhe ideve progresive, sepse qendrat e dijes janë të përjetshme. Edukimi dhe arsimimi janë pasuria më e çmuar e çdo kombi. Ashtu si janë universitetet sot, ashtu do të jetë ardhmëria nesër!”, tha mes tjerash ambasadori Çejku.

Për jetën dhe veprën e të të ndjerit Arben Xhaferi, foli kryetari i Bordit të Universitetit, Prof. Dr. Denis Farington, i cili tha se i ndjeri Arben Xhaferi ishte nismëtari i projektit tonë dhe ka mbetur një nga miqtë dhe mbështetësit tanë më të fortë deri në vdekjen e tij parakohshme në fillim të këtij viti.

“Unë jam i pari që pranoj se roli ynë ishte kryesisht për t’i drejtuar/orientuar idetë e gjeneruara nga z. Xhaferi dhe bashkëpunëtorët e tij në një formë në të cilën ato do të jenë tërheqëse për donatorët potencialë ndërkombëtarë dhe më në fund për qytetarët e Maqedonisë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Kjo nuk kishte të bënte me imponimin e disa koncepteve të parëndësishme evropiane apo amerikane ndaj popullit të Maqedonisë.”,tha në fjalimin e tij kryetari i Bordit, Denis Farington.

Për anën artistike të ceremonisë u përkujdesën Blerim Grubi e Sihana Badivuku dhe Kori i qytetit të Tetovës i udhëhequr nga Jeton Pustina.

Google+