Qëllimi i këtyre studimeve pasuniversitare është që të mbulojë boshllëkun në arsimin formal në mesin e organizatave të shoqërisë civile (OSHC) dhe fondacioneve, punonjësve të tyre, aktivistëve dhe vullnetarëve, si dhe stafit në institucionet ndërkombëtare, në agjencitë donatore dhe në sektorin qeveritarë, por edhe të bashkëpunojnë me sektorin civil, si dhe të përmirësojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre për të forcuar shoqërinë civile, me theks të veçantë, në ngritjen e zërit në procesin e ndërtimit të një demokracie efektive në Maqedoni dhe në rajonin e Evropës Juglindore.
Këto janë studimet e para të këtij lloji në Maqedoni dhe të vetmet në rajon.
“Studimet pasuniversitare për zhvillimin e shoqërisë civile kanë të bëjnë me një program të ri të ciklit të dytë të studimeve në Fakultetin e Administrimit Publik dhe Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore, të cilat janë krijuar me propozim të evaluesit të jashtëm të Fakultetit tonë, profesor William Dunn nga Universiteti i Picburgut, SHBA, në partneritet me Qendrën për zhvillim institucional”, tha Prof. dr. Elena Andreevska, dekane e këtij Fakulteti.
Prof. dr. Zamir Dika, rektori i Universitetit, theksoi se argumentet se pse ky program studimor, sipas tij, mbështeten në faktin se i njëjti i plotëson të gjitha pritjet për konkurrencë në nivel global gjë që e bën të jetë entuziast në lidhje me programin e ri studimor për “Zhvillimin e shoqërisë civile”. “Programi vjen si rezultat i një procesi të vlerësimit të kurrikulave në UEJL nga ekspertë eminentë botërorë të fushës së administrimit publik dhe shkencave politike, i dizajnuar në suaza të një bashkëpunimi shumë të frytshëm, pikërisht me njërën ndër organizatat më të suksesshme në Maqedoni dhe në rajon në spektrin e organizatave joqeveritare – Qendrën për zhvillim institucional”, nënvizoi rektori Dika.
Sipas Zoran Stojkovskit, drejtor ekzekutiv i CIR-as, programi dhe lëndët e propozuara të studimeve të magjistraturës për zhvillimin e shoqërisë civile janë të përshtatura për të përmbushur nevojat e zhvillimit të çdo organizate qytetare në Maqedoni dhe rajon dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e aftësive në punën e tyre të përditshme, por dhe për t'iu përgjigjur sfidave afatmesme dhe afatgjata, me të cilat ballafaqohen shoqatat dhe fondacionet dhe të gjithë praktikuesit që duan të kenë njohje të drejtpërdrejt të sektorit civil. "Ndikimi dhe roli i shoqërisë civile në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndonëse më i dobët se sektorët e tjerë, është i konsiderueshëm dhe i rëndësishëm në drejtim të demokratizimit të mëtejshëm dhe zhvillimit të secilit vend, si dhe të rajonit në përgjithësi drejt aspiratave të integrimit euro-atlantik", shtoi ai.
Ky program studimor fillon në vitin e ri akademik 2012/2013.
