Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Në UEJL promovohet libri “Biznesi i vogël dhe ndërmarrësia”

Të mërkurën (28 mars 2012, në Universitetit të Evropës Juglindore u promovua libri me titull “Biznesi i vogël dhe ndërmarrësia” nga autorët Doc. Dr. Veland Ramadani dhe Prof. Dr. Bobek Shuklev.

Ky libër trajton biznesin e vogël dhe ndërmarrësinë si shtylla kryesore të çdo ekonomie kombëtare dhe lexuesve iu ofron një pasqyrë më të qartë rreth biznesit të vogël, përparësive dhe dobësive, respektivisht benefiteve, sfidave dhe problemeve që dalin nga posedimi dhe menaxhimi i një biznesi të vogël, mënyrave të organizimit të një biznesi, përpjekjeve novatore për ballafaqim me konkurrencën, identifikimit dhe kërkimit të zgjidhjes në lidhje me evitimin e situatave të rrezikshme gjatë operimit të biznesit, luftës së vazhdueshme të ndërmarrësve për gjetjen e burimeve adekuate të financimit dhe gjetjen e rrugëve më të mira për plasimin e produkteve dhe shërbimeve në treg dhe informimin e konsumatorëve për benefitet nga to.

Libri iu dedikohet studentëve, punonjësve akademikë dhe menaxherëve. Recenzentët e këtij libri, Prof. Dr. Nasir Selimi dhe Prof. Dr. Izet Zeqiri e vlerësuan këtë libër si model i librave më bashkëkohorë që trajton fushën e biznesit dhe ndërmarrësisë.

Koautori i librit, Doc. Dr. Veland Ramadani tha: “Ne këtë kohë shumë dinamike, të përcjellur me shumë turbulenca është mëse e vështirë të jesh ndërmarrës, të inicosh dhe menaxhosh aktivitete afariste, të sfidosh të ardhmen. Mirëpo, shpirti ndërmarrës është ai që pengesat i shndërron në mundësi, e nëse ndonjë mundësi ik pa u shfrytëzuar, ai kërkon një tjetër. Jorastësisht, një ndërmarrës me famë botërore, Richard Branson kishte thënë se ‘mundësitë janë si autobusët, shkon njëri e vjen tjetri’. Pastaj, e dijmë se kjo rrugë është plot rreziqe dhe me mundësi të mëdha për të dështuar. Winston Churchill na këshillon se suksesi mund të arrihet edhe nëse shkojmë nga dështimi në dështim, por me kusht që mos ta humbasim entuziazmin. Ose, në përpjekjen për të qenë i suksesshëm, dëshira për sukses duhet të jetë më e madhe se frika nga dështimi”.

Prof. Dr. Bobek Shuklev, koautor, në fjalën e tij theksoi se ky libër vjen si produkt i bashkëpunimit 15-vjeçar me Doc. Dr. Veland Ramadanin dhe se kombinimi i katër epiteteve të autorëve – përvoja, profesionalizmi, energjia dhe përkushtimi ka bërë që ky libër të jetë përmbajtësor dhe kualitativ.

Përndryshe, Doc. Dr. Veland Ramadani është ligjërues në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë pranë UEJL-së, ndërsa Prof. Dr. Bobek Shuklev është ligjërues në Fakultetin Ekonomik në Shkup dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Italisë. Ky është libri i 32-të i Prof. Dr. Bobek Shuklev dhe libri i 8-të i Doc. Dr. Veland Ramadani.

Google+