Këshilltari i rektorit për marrëdhënie me publikun dhe komunikim, Mr. Demush Bajrami, tha se kjo është një ditë e rëndësishme për mbarë arsimin shqiptarë, sepse shënon përpjekjet e të gjithë atyre arsimdashësve shqiptarë për të zhvilluar dhe përparuar shkollën e mirëfilltë shqipe.
“Kjo ditë përkon me vizionin e rilindësve dhe arsimdashësve shqiptarë, të cilët me kohë bashkë me popujt tjerë përparimtarë të Ballkanit, e kuptuan arsimin si një garë në të cilën, nuk fiton më i vrazhdi, por më i dijshmi, nuk fiton më i pacivilizuari, por më i kulturuari. Misioni i 7 Marsit vazhdon të jetë aktual edhe sot”, tha Demush Bajrami.
Referatin kryesor në këtë manifestim e mbajti prodekani i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, prof. Dr. Hamit Xhaferi, i cili bëri një retrospektivë të zhvillimit të shkollës shqipe, që nga fillesat e saj, që lidhen me 7 marsin e vitit 1887 e deri më sot.
“Gjatë kësaj kohe, edhe pse e përballur me shumë vështirësi ka arritur të realizojë misionin e saj të arsimimit dhe brumosjes së atdhetarizmit. Shkolla e sotme shqipe ka një vazhdimësi të shkollës së parë shqipe sa i përket këtij misioni. Një mision të ngjashëm ka edhe UEJL, me orientim evropian dhe amerikan”, tha mes tjerash ën referatin e tij, prodekani Hamit Xhaferi.
