Gara, është pjesë e aktiviteteve për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit.
Në këtë garë, morën pjesë skiatorë nga disa universitete të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Fitues absolut i kësaj gare ishte Dardan Dehari, nga Tetova, në kategorinë e meshkujve, kurse në kategorinë e femrave fituese ishte Dorina Mema nga Peja.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Musa Xhaferi, në emër të Këshillit për Shënimin e 100 -vjetorit të Pavarësisë, tha se gjatë këtij viti janë paraparë të mbahen një sërë aktivitetesh për shënimin e kësaj date të rëndësishme.
Prorektori për hulumtime i UEJL-së, Prof. Dr. Blerim Reka, në fjalimin e rastit tha se shpreson, që kjo garë, do të jetë tradicionale dhe në të ardhmen, do të vazhdojmë ta ndajmë “Kupën e Flamurit”.
Në emër të Universitetit të Prishtinës, garën e përshëndeti rektori i këtij universiteti, Dr. Mujë Rugova, i cili tha se ky manifestim i afron dhe obligon shqiptarët, të jenë më të bashkuar dhe më punëtorë.
Marina Tasho, garuese nga Universiteti i Korçës, e cila e zuri vendin e tretë në këtë garë, tha se ndjehet shumë krenare, që pikërisht në këtë jubile mora një çmim.
“U ndjeva jashtëzakonisht krenare dhe u përlota”, tha Marina Tasho.
Në konkurrencën ekipore, vendi i parë në këtë garë i takoi qytetit të Tetovës, i dyti doli qyteti i Pejës, ndërsa i treti ishte qyteti i Korçës.
Organizatorët e garës ndanë mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit, ndërsa mirënjohje e veçantë iu nda garueses më të re, pejanes Arba Popovci.