Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Solemnisht shënohet 10 vjetori i Universitetit të Evropës Juglindore

Rektori Dika: Kontributi i njerëzve të vegjël që bëjnë vepra të mëdha

Me dhënien e mirënjohjeve të shoqëruara me nga një orë dore për të gjithë të punësuarit (66), të cilët kanë mbushur 10-të vite punë në Universitet, nga kryetari i Bordit të Universitetit dhe dhënia e mirënjohjeve të tre profesorëve të parë të pensionuar, nga rektori i UEJL-së Prof. Dr. Zamir Dika, të premten ( 18 nëntor 2011), filluan zyrtarisht aktivitetet për të shënuar 10-të vjetorin e themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore. Në kuadër të këtij manifestimi u promovuan edhe gjashtë doktorët e rinj të shkencave, të cilët me sukses kishin mbrojtur tezën e tyre të doktoratës.

“Përulem para këtij kontributit të njerëzve të vegjël që bëjnë vepra të mëdha, prandaj më lejoni të shprehem lirshëm:E paçim përjetë Universitetin”, tha Rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika.

Sipas rektorit Dika, kjo e sotmja përbën ceremoninë kryesore, pasi që sot ndahet një mirënjohje modeste për nga vlera, por shumë të madhe për nga rëndësia, sepse bëhet fjalë për një mirënjohje që ju shkon njerëzve të cilët besuan thellë në këtë projekt dhe që nga themelimi me pasion dhe përkushtim kontribuuan për të ardhur deri këtu ku është arritur sot.

Ai, me këtë rast vuri në pah se dosja e kontributit është verifikuar edhe nga vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare, që e kanë cilësuar UEJL-në si model në Maqedoni dhe rajonin e gjerë, duke e identifikuar si lider të implementimit të standardeve më të reja evropiane, të parapara me procesin e Bolonjës. Ky universitet, i pari, me guxim dhe vizion përqafoi ciklet e studimit, sistemin e transferit të kredive, miratoi instrumente të sigurimit të cilësisë dhe startoi me përdorimin e teknologjive të informacionit në të gjitha nivelet e veprimtarisë së universitetit.

“Ishim universiteti i parë i integruar në Maqedoni, në kuadër të një kampusi të integruar dhe liderë në iniciativat e shndërrimit në qytezës universitare në Eko-Kampusin e parë në rajon. Pra, këta njerëz që i besuan këtij projekti që në fillim dhe pastaj edhe të tjerët që u bashkëngjitën në këtë mision të shenjtë, me një përkrahje të fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare dhe miqve të universitetit, si dhe universiteteve respektive, me një përkushtim të admirueshëm dhe për ta pasur zili, arritën ta jetësojnë një ide në formën dhe përmbajtjen më të përkryer, me të vetmin qëllim, që të krijojnë një ofertë ndryshe për fëmijët tanë, për të edukuar një brez të gjeneratave të reja të ndryshëm nga ato përreth, të denjë për të udhëhequr shoqërinë tonë drejt rrugës së dijes,progresit dhe lirisë”, theksoi, në mes tjerash rektori Dika.

Duke iu drejtuar doktorëve të shkencave, tw cilwt u promovuan nw kwtw ceremoni, rektori Dika tha se “Doktorata përbën titullin më të lartë profesional në botën akademike dhe atë të hulumtimit shkencor. Për të arritur deri në këtë akt, është dashur një investim dhe impenjim maksimal për të hulumtuar literaturën dhe të rejat shkencore në fushat respektive në definimin e problematikës, përdorimin e metodologjive adekuate për kërkimin e së vërtetës, pastaj verifikimin e hipotezave nëpërmjet matjeve apo eksperimentimeve që rezultojnë me zgjidhje dhe udhëzime për punën e mëtejshme”.

Google+