Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë edhe zyrtarisht u bë universitet i parë në rajon me ndërtesë ekologjike, e cila tërësisht shfrytëzon burimet alternative të energjisë. Rektori i UEJL, Prof. Dr. Zamir Dika, Ministri i Ekologjisë i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi dhe Ambasadori i Italisë në Maqedoni, Fabio Kristiani, të enjten (29 shtator 2011), zyrtarisht lëshuan në përdorim ndërtesën ekologjike të UEJL-së, me emetim zero të gazrave ndotës.
Në fjalimin e tij përshëndetës, rektori Dika, tha se kjo ndërtesë është frytë i bashkëpunimit mes dy shteteve në ndërlidhje me universitetin. Kjo, dëshmon shkallën e lartë të vetëdijesimit për të mos ndenjur duarkryq ndaj këtij fenomeni që në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në cilësinë e jetës sonë.
“Sot nuk po bëjmë përmbylljen e suksesshme të një projekti, por po e hapim një faqe të re për universitetin, atë të promovimit dhe shfrytëzimit të kapaciteteve, tashmë ekzistuese, për të dhënë kontributin tonë në rritjen e vetëdijes për mjedisin jetësor për të kontribuuar me ekspertizën tonë në shndërrimin e Maqedonisë në rajon që promovon teknologjinë ekologjike. Ne, si qëllim strategjik kemi zhvillimin e universitetit në një qendër, ku do të shpërndajmë përvojat me universitetet tjera, para së gjithash, duke ndihmuar bizneset dhe shoqërinë në përmirësimin e standardeve jetësore”, tha mes tjerash në fjalimin e tij përshëndetës Rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika.
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinorë në Qeverinë e Maqedonisë, Abdylaqim Ademi, tha se Qeveria e Maqedonisë dhe ministria, që ai e përfaqëson i përkrah iniciativat e këtilla, të cilat kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor dhe në zhvillimin e ekonomik, duke ngritur vetëdijen qytetare për një mjedis më të pastër dhe më të shendosh.
“Ky projekt është një shembull për tu ndjekur në të ardhmen”, tha ministri Ademi.
Ambasadori Italian në Maqedoni Fabio Kristiani e vlerësoi bashkëpunimin, në radhë të parë atë ndërmjet dy shteteve, duke theksuar faktin se Qeveria Italiane nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, Tokës dhe Detit i ka përkrahur gjithnjë nismat, që kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të mjedisit jetësor.
“Universiteti i EJL përfaqëson shembullin se si duhet të implementohen projektet e këtilla”, tha ambasadori Kristiani.
Po ashtu, në kuadër të këtij aktiviteti u mbajt punëtoria me temë “Shndërrimi i UEJL-së në Tetovë në Kampus me emetim të ulët të gazrave ndotës – UEJL 2020 mësimdhënie për ardhmëri të qëndrueshme”, në kuadër të bashkëpunimit në fushën e “Mjedisit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm”, në mes të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Fizik të Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Tokës dhe Detit të Republikës së Italisë.
Ky projekt është i përkrahur nga Ambasada Italiane në Maqedoni. Realizimi i tërësishëm i këtij projekti i mundëson Universitetit të Evropës Juglindore, të bëhet qendër udhëheqëse për energji dhe mjedis jetësor në rajonin e Ballkanit, por edhe si shembull se si të implementohen eko-sistemet.
