Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Universitetit të Evropës juglindore në Tetovë drejtori i këtij instituti, Veton Latifi në fjalën e tij vlerësoi lartë punën dhe rolin e ambasadorit Riker në proceset integruese të Maqedonisë drejt NATO-s dhe Unionit Evropian. Latifi theksoi se ambasadori Riker ka qenë një inkurajues i madh i autoriteteve të Maqedonisë, shoqërisë civile dhe popullit në procesin e reformave institucionale.
“Instituti për demokraci dhe zhvillim ka kënaqësinë të shpall fituesin e çmimit të lidershipit për vitin 2010, ambasadorin e SHBA-ve në Shkup, ekselencën e tij zotin Filip Riker. Çmimi jepet për individët publik ose institucionet për të shquar dhe vlerësuar përpjekjet dhe rezultatet e jashtëzakonshme në procesin e konsolidimit dhe reformave demokratike në Republikën e Maqedonisë”, tha Veton Latifi, drejtori i IDZH-së.
Ambasadori Riker është shprehur tepër i kënaqur me këtë vlerësim. Ai tha se këtë çmim ia dedikon të gjithë trupit diplomatik amerikan në Maqedoni, i cili e ka mbështetur në realizimin e ideve dhe projekteve të tij.
“Ndjehem vërtetë i nderuar sot, që më është dhënë ky çmim për lidership dhe është një nder i veçantë që të jem sot këtu, në mesin e aq kolegëve, miqve të cilët na janë bashkangjitur, si ambasadori Sorensen, Ulrika, Harbon. Vërtetë kam mësuar shumë nga ambasadorët tjerë me të cilët punojmë në korin diplomatik drejt realizimit të asaj që shpresojmë të jetë më e mira për Republikën e Maqedonisë. Tani kur bëhem gati për të lënë postin tim pas tri viteve si ambasador i SHBA-ve, do të kujtoj raste të veçanta, si ky i ditës së sotme dhe marrëdhëniet të cilat i kemi zhvilluar gjatë viteve, jo vetëm me qeverinë, por edhe me institucione dhe organizatat”, tha Filip Riker, ambasador i SHBA-ve në Maqedoni.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Zamir Dika, ka përgëzuar ambasadorin Riker për çmimin dhe ka shprehur kënaqësinë për praninë e tij në ambientet e UEJL-së.
“Ambasadori i SHBA - si nocionnëse ndahet në dy fjalë: SHBA – që në këtë rajon janë të njohura si faktor për paqen dhe stabilitetin, mbështetës të vazhdueshëm të njohjes së potencialeve tona zhvillimore dhe në njohjen reciproke të drejtave të njeriut. Për sa i përket fjalës së dytë të nocionit – Ambasadori Riker, unë vetëm mund të them thjesht: ai është mik i Universitetit të Evropës Juglindore dhe Republikës së Maqedonisë. Nëse e keni lexuar biografinë e tij - ju do të vini re se ai në një mënyrëështë i lidhur me Republikën e Maqedonisë dhe Universitetin e Evropës Juglindore”, tha rektori Dika.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimit ka marrë pjesë edhe ambasadori Bashkimit Evropian në Shkup, Piter Sorensen, ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës, diplomat të tjerë si dhe profesorë dhe studentë të UEJL-së.
