Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Shpallet konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj në UEJL

Rektori Dika: “Programet tona studimore, përmbajnë në vete pragmatizmin dhe shkëkqyeshmërinë amerikane, sidomos në fushën e biznesit dhe të shkencave kompjuterike, por edhe traditën e vlerave civilizuese evropiane në lëmin e programeve me interes të drejtpërdrejtë publik”

Në mbledhjen e sotme (12 prill), Senati i Universitetit të Evropës Juglindore, në Tetovë avancoi në thirrjen mësimoro-shkencore profesorë inordinarë dy pjesëtarë të stafit ndërkombëtarë të këtij universiteti, Denis Farington dhe Pol Foster. Janë edhe pesë profesorë vendorë që morën thirrjen docent nga fusha e shkencave kompjuterike, drejtësia, administrata publike dhe shkencat politike si dhe biznesi dhe ekonomia.

Senati gjithashtu miratoi edhe konkursin për regjistrimin e studentëve në vitin e parë të studimeve, të ciklit të parë dhe të dytë, në fakultetet e UEJL-së, për vitin akademik 2011/2012. Kështu, në studime të rregullta në këtë vit akademik, në ciklin e parë të studimeve (universitare) në pesë fakultete: Drejtësi, Biznes dhe Ekonomi, Administrim Publik dhe Shkenca Politike, Shkenca dhe Teknologji Bashkëkohore, Gjuhë, Kultura dhe Komunikim, do të pranohen rreth 1300 studentë. Senati edhe për këtë viti akademik ka paraparë studimet me korrespodencë.

Sipas rektorit të UEJL, Prof. dr. Zamir Dika, Universiteti i Evropës Juglindore përveç që, është i shprehur me një kampus të mrekullueshëm, ka arritur të zhvillohet në një mjedis të veçantë akademik për të studiuar, duke shkëmbyer përvoja intensive me profesorët e universiteteve - partnerë ndërkombëtarë dhe me pjesëmarrjen në programe të ndryshme për trajnim dhe zhvillim profesional. “Programet tona studimore, përmbajnë në vete pragmatizmin dhe shkëlqyeshmërinë amerikane, sidomos në fushën e biznesit dhe të shkencave kompjuterike, por edhe traditën e vlerave civilizuese evropiane në lëmin e programeve me interes të drejtpërdrejtë publik”. Si Universitet i ri, tha më tej rektori Dika, kemi pasur fatin që të startojmë duke ndjekur rekomandimet fundamentale të frymës reformuese të arsimit të lartë në Evropë, të shprehur nëpërmjet procesit të Bolonjës. Të gjitha këto tendenca i kemi kuptuar si një përpjekje serioze për t’i pajisur studentët tanë me dije, kompetenca dhe shkathtësi të nevojshme për tregun global. Ai beson fort në këto tendenca, që kanë hapur një debat të thellë për rolin e universiteteve në mileniumin e tretë, ngase qasja tradicionale dhe kolektive sikur i kishte larguar universitetet nga nevojat reale të shoqërisë dhe industrisë, përfundoi rektori Dika.

Google+