Në UEJL, të enjten (14 tetor 2010), prorektori për hulumtime dhe promocion, prof. dr. Blerim Reka e promovoi librin e tij më të ri “Gjeopolitika dhe teknika e zgjerimit të UE-së”.
Libri në fjalë në mënyrë të detajuar trajton dhe analizon procesin e zgjerimit të UE-së, duke argumentuar dhe hulumtuar ngjarje të ndryshme dhe të turbullta në procesin e historikut të gjeopolitikës të zgjerimit evropian e në veçanti duke u ndalur edhe në procesin dhe politikën e zgjerimit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor në UE.
Libri është ndarë në katër kapituj dhe është vetëm një analizë e procesit të zgjerimit të UE-së në dimensionin e tij gjeopolitik dhe teknik, e bazuar në hulumtimin katërvjeçar:2006-2010 të prof. dr. Blerim Reka në Bruksel, si ambasador i Maqedonisë në BE. “Në këtë libër provoj të argumentoj se zgjerimi i UE-së, ishte dhe mbeti proces gjeopolitik, brenda të cilit shteti sovran transformohej në shtet anëtar”, tha prorektori Reka.
“Ky libër i ka kaluar kufijtë rajonal dhe ka një peshë të madhe me përmasa evropiane e cila paraqet një punë të çmueshme dhe të suksesshme të zhvillimit akademik, diplomatik dhe profesional të autorit”, tha prof. dr. Ylber Sela, i cili është edhe recensent i librit.
Libri është botuar nga shtëpia botuese e njohur në Bruksel ASPECT. Xhejms Hand, përfaqësues i kësaj shtëpie botuese e vlerësoi librin si një sukses të radhës. Reka është autor i 16 librave në këto fusha dhe i 60 studimeve shkencore të publikuara në gjuhët angleze, gjermane dhe spanjolle.