Lidhur me temën në fjalë, zëvendësministrja Edith Harxhi, tha se nevojitet që shtetet e Ballkanit Perëndimor sa më shpejtë të zgjidhin kontestet dhe të hapërojnë drejt strukturave euro-atlantike. Sa i përket problemeve që ka Maqedonia me shtetin fqinj, E. Harxhi tha se kontributin që e jep Shqipëria, nuk është i drejtuar drejtpërsëdrejti ndaj Maqedonisë apo Greqisë, si një shtet fqinj i përbashkët si për ne, ashtu edhe për Maqedoninë.
“Mendoj se nuk ka forum ndërkombëtar apo organizatë rajonale, në të cilën nuk e ngremë zërin dhe nuk e propagandojmë me të madhe këtë çështje. Madje, duke e vendosur si pikën kryesore që e shtrojmë gjithmonë si kusht themelor për zhvillimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, por edhe për një Ballkan të qetë pas kaq vitesh dhe pas kaq problemesh, është edhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO”. E pyetur për angazhimin e shtetit shqiptar lidhur me çështjen e shqiptarëve në Maqedoni, Harxhi tha se shteti shqiptar është i angazhuar jashtëzakonisht shumë. “Nëse nuk do të ishte i angazhuar, ndoshta edhe unë vetë nuk do të isha sot këtu, por e ndjej që angazhimi është shumë i madh, madje zemra jonë gjatë gjithë kohës është këtu me shqiptarët, madje jo vetëm këtu, por kudo që janë ata.
“Shqipëria e ka bërë gjithmonë të pamundurën dhe do të vazhdojë të promovojë gjithmonë ato vlera të mrekullueshme demokratike lidhur me Marrëveshjen e Ohrit, implementimin e drejtë të saj si një garanci absolute e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha ajo. Tribuna është e organizuar nga Instituti për demokraci dhe zhvillim, në kuadër të aktiviteteve të Shkollës për demokraci dhe lidership. Ky program, nëpërmjet trajnimeve disamujore, i tubon liderët e rinj të partive politike në Maqedoni.