Konferenca u hap me një seancë mirëseardhjeje, ku mbajtën fjalime Enrique Fatas Juberias, Drejtor i Institutit të Ekonomisë së Sjelljes, Blerta Abazi Çaushi, Dekane e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë në UEJL, Emmanuël Hazé, Zyrtar Kryesor i Implemetimit në Aleancën ChallengeEU, si dhe Kryesuesi i konferencës, Veland Ramadani, i cili prezantoi një përmbledhje të ISCBE 2026 dhe objektivave të saj.
Seanca Plenare vuri në pah sfidat dhe mundësitë kryesore bashkëkohore që lidhen me inteligjencën artificiale dhe transformimin digjital. Marco Valeri, Profesor i Asociuar në Universitetin Niccolò Cusano, Itali, prezantoi mbi rolin e Inteligjencës Artificiale Agjentore – (Agentic AI) në formësimin e së ardhmes së planifikimit të udhëtimeve, ndërsa Catalina Franco nga Shkolla Norvegjeze e Ekonomisë (NHH) trajtoi ndikimin e inteligjencës artificiale në barazinë gjinore.
Konferenca vazhdoi me seanca tematike mbi qëndrueshmërinë, ekonominë dhe financat, ndërmarrësinë dhe inovacionin, menaxhimin dhe marketingun, inteligjencën artificiale, sistemet e informacionit dhe aspektet ligjore të ekonomive të gatshme për të ardhmen, duke ofruar një platformë të vlefshme për shkëmbim dhe bashkëpunim akademik ndërkombëtar.
Përmes ISCBE 2026, Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë i Universitetit të Evropës Juglindore dëshmoi edhe një herë përkushtimin e tij për të çuar përpara ekselencën në kërkim shkencor, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mendimin inovativ në adresimin e sfidave të ekonomive të së nesërmes.
