“University Law Competition 2026” është një garë prestigjioze e organizuar nga Fondacioni Halimi me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Tiranë dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Ky edicion i katërt u konceptua si një gjyq simulues televiziv që bashkoi studentët më të dalluar të drejtësisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke krijuar një platformë rajonale për promovimin e ekselencës juridike, mendimit kritik dhe sundimit të ligjit.
Skuadra e Fakultetit të Drejtësisë të UEJL-së, e përbërë nga studentet Flutura Xhemaili, Amina Ademi dhe Remzije Abazi, nën udhëheqjen dhe mentorimin e Prof. Dr. Vedije Ratkocerit, arriti të renditet ndër tre skuadrat më të mira në këtë kompeticion, i cili u mbajt më 16 dhe 17 maj në Tiranë.
Në këtë edicion morën pjesë 16 skuadra nga fakultetet e drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pas një përgatitjeje intensive disajavore dhe zhvillimit të tri raundeve të ballafaqimit verbal, skuadra e UEJL-së u dallua për nivelin e lartë të argumentimit juridik, cilësinë e shkresave procedurale, prezantimin profesional dhe bashkëpunimin ekipor.
Si pjesë e çmimit të fituar, studentet do të realizojnë një vizitë studimore në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, një përvojë e rëndësishme akademike dhe profesionale që do t’u mundësojë njohje më të afërt me praktikën dhe jurisprudencën evropiane në fushën e të drejtave të njeriut.
Vlen të theksohet se kjo është hera e tretë radhazi që studentët e Fakultetit të Drejtësisë të UEJL-së marrin pjesë në këtë garë prestigjioze, ndërsa në vitin 2024 skuadra e UEJL-së ishte fituese e vendit të parë.
Ky sukses dëshmon përkushtimin e Fakultetit të Drejtësisë të UEJL-së në përgatitjen akademike dhe praktike të studentëve, duke krijuar kushte dhe mundësi për zhvillimin e aftësive profesionale, mendimit kritik dhe kompetencave juridike në nivel konkurrues ndërkombëtar.
