Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Vizitë e Ambasadës së SHBA-ve dhe prezantimi i programeve të shkëmbimit arsimor në UEJL

Në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), për vizitë sot qëndruan përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, z. Charles M. Santiago, zyrtar për Diplomaci Publike dhe z. Gazmend Ilazi, Koordinator për programin Alumni.

Në prani të studentëve dhe stafit z. Charles M. Santiago, foli për rolin e diplomacisë publike dhe rëndësinë e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar, ndërsa z. Gazmend Ilazi, ndau informacione të vlefshme mbi programet e shkëmbimit arsimor. Ata theksuan mundësitë që këto programe ofrojnë për studentët dhe të rinjtë që synojnë përvoja studimore në universitete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë ngjarje, dy studentë të Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore të UEJL-së ndanë përvojat e tyre si përfitues të bursave Fulbright.

Ron Ismaili, i cili pritet të vazhdojë studimet në SHBA, dhe Florina Asani, e cila ka realizuar programin në Worcester Polytechnic Institute, prezantuan përvojat e tyre akademike dhe personale, duke reflektuar mbi sfidat dhe përfitimet e studimit në një mjedis ndërkombëtar dhe duke frymëzuar studentët e pranishëm për të ndjekur rrugë të ngjashme.

Pas prezantimit, përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-ve zhvilluan një takim me Këshilltaren për Marrëdhënie me Komunitetin dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Besa Arifi, ku u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Më pas, ata vizituan Institutin “Maks van der Shtul”, ku u pritën nga Drejtori, Prof. Dr. Veli Kreci dhe stafi i institutit, duke shkëmbyer mendime mbi zhvillimet në arsimin e lartë dhe perspektivat e bashkëpunimit të mëtejshëm.

Në fund të vizitës, përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-ve vizituan edhe Bibliotekën Universitare “Maks van der Shtul”, ku u pritën nga znj. Elmedina Abdullahu, përgjegjëse e bibliotekës, duke u njohur nga afër me kapacitetet dhe burimet që ofron biblioteka për studentët dhe stafin akademik.

Google+