Në përputhje me vendimin e Komitetit Ekzekutiv, nga mbledhja e mbajtur më 13 mars 2010, programet e tyre zgjedhore, para Senatit i prezantuan të gjithë kandidatët që tashmë janë në garë për rektor (sipas radhitjes së alfabetit): Prof. dr. Abdylmenaf Bexheti, Prof. dr. Agni Dika, Prof. dr. Murtezan Ismaili dhe Prof. dr. Zamir Dika.
Nga anëtarët e Senatit u dëgjuan komente, analiza, sugjerime dhe u parashtruan pyetje konstruktive për kandidatët. Sipas Statutit të Universitetit, Senati nuk vendosë për zgjedhjen e rektorit të ri, por për rektorin e ri do të vendosë Bordi i Universitetit, në një mbledhje të posaçme, në fillim të muajit qershor, me votim të fshehtë. Rektori i Universitetit të EJL, do të zgjidhet me një shumicë të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Bordit dhe procedura zgjedhore do të kryhet në përputhje me Statutin e UEJL.
Duhet theksuar se rektori është udhëheqës kryesor ekzekutiv i Universitetit dhe i njëjti i raporton Bordit të Universitetit që përbëhet nga anëtarë ndërkombëtarë dhe vendorë. Konkursi për rektor të ri të UEJL ka qenë i hapur deri më 26 shkurt të këtij viti, ku parashihej përparësi për kandidatët që i njohin gjuhët që përdoren në nivel të Universitetit (gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze).



