Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Ambasadori i Shqipërisë, Denion Meidani, ligjëron në UEJL për diplomacinë shqiptare dhe integrimin evropian

Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL), ishte sot nikoqir i një ligjërate tematike të mbajtur nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Denion Meidani, kushtuar rolit të diplomacisë shqiptare në Ballkanin Perëndimor, integrimit evropian, sigurisë rajonale dhe bashkëpunimit ndëruniversitar.

Duke folur para studentëve dhe stafit akademik, Ambasadori Meidani theksoi rëndësinë e diplomacisë si një instrument kyç në përforcimin e stabilitetit rajonal dhe avancimin e proceseve integruese drejt Bashkimit Evropian. Ai u ndal veçanërisht në zhvillimet aktuale politike dhe diplomatike në rajon, sfidat e sigurisë, si dhe rolin e arsimit të lartë në ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Para ligjëratës, Ambasadori Meidani zhvilloi një takim me Rektorin e UEJL-së, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit akademik rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe për mbështetjen diplomatike ndaj iniciativave arsimore dhe shkencore. Në takim ishin të pranishëm Prorektori për Planifikim, Hulumtim dhe Ndërmarësi, Prof. Dr. Veland Ramadani, Këshilltarja për Planifikim Akademik dhe Digjitalizim, Prof. Dr. Florije Ismaili dhe këshilltarja për Marrëdhënie me Komunitetin dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Besa Arfi.

Ligjërata u hap me një fjalim mirëseardhjeje nga Prof. Dr. Besa Arfi, e cila vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin e diplomacisë në ndërtimin e urave të komunikimit mes universiteteve dhe institucioneve shtetërore.

Në fjalën e tij, Ambasadori Meidani ndau me studentët perspektivat e diplomacisë shqiptare në rajon, duke theksuar proceset integruese evropiane, sigurinë rajonale dhe domosdoshmërinë e fuqizimit të bashkëpunimit akademik ndëruniversitar.

Ngjarja u përmbyll me një sesion interaktiv dhe konstruktiv bashkëbisedimi me studentët, gjatë të cilit u ngritën çështje me interes të veçantë mbi rolin e rinisë, arsimit të lartë dhe diplomacisë në forcimin e marrëdhënieve rajonale dhe evropiane.

Ligjërata u moderua nga Prof. Ariton Rama, i cili njëkohësisht udhëhoqi edhe diskutimin interaktiv me studentët e pranishëm.

Ligjërata u organizua nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkëkohore i UEJL-së, në kuadër të angazhimit të universitetit për të sjellë diplomatë dhe personalitete të rëndësishme të jetës publike në dialog të drejtpërdrejtë me studentët.

Google+