Seminari u hap nga Prof. Dr. Arta Mero, e cila theksoi rëndësinë e fuqizimit të studentëve të drejtësisë në adresimin e dhunës digjitale dhe fizike ndaj grave dhe vajzave. Aktiviteti mblodhi studentë, staf akademik e administrativ, aktivistë, organizata partnere dhe universitete pjesëmarrëse të ChallengeEU.
Në këtë ngjarje, morën pjesë edhe Rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, Prorektori për Planifikim, Hulumtim dhe Ndërmarrësi, Prof. Dr. Veland Ramadani dhe Këshilltarja për Komunitetin dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Besa Arifi, duke treguar mbështetje institucionale në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.
Pesë folëse prezantuan tema kyçe mbi ndikimin psikologjik, kornizën ligjore, femicidin, rëndësinë e shërbimeve mbështetëse dhe perspektivat personale të mbijetueseve të dhunës. Në temën: “Rilindja si akt rezistence: Perspektiva personale dhe akademike mbi dhunën ndaj grave”, prezantoi Vilma Dule, aktiviste dhe e mbijetuar e dhunës me bazë gjinore. “Rëndësia e shërbimeve për parandalimin dhe trajtimin e dhunës me bazë gjinore për viktimat, autorët dhe burrat në krizë”, ishte tema, në të cilën prezantoi Elizabeta Bozhinovska, Drejtoreshë programore, HERA. Lidhur me “Ndikimet psikologjike të dhunës me bazë gjinore dhe ndërhyrjet terapeutike për viktimat”, prezantoi Prof. Dr. Hana Saliu, nga Universiteti i Tetovës. Nga Fakulteti I Drejtësisë së UEJL-së, prezantuan Prof. Dr. Albana Metaj – Stojanova në temën “Femicidi: Kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar” dhe Prof. Dr. Vedije Ratkoceri në temën “Korniza penale për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe përafrimi me standardet ndërkombëtare”
U theksua edhe roli i Klinikës Juridike “Emine Zendeli” në ofrimin e ndihmës juridike primare për viktimat dhe në përgatitjen praktike të studentëve.
Ky aktivitet rikujtoi se parandalimi i dhunës me bazë gjinore kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve, universiteteve, organizatave dhe vetë studentëve.
UEJL dhe ChallengeEU mbeten të përkushtuar të jenë zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të njeriut.
