Qëllimi i këtij bashkëpunimi është zhvillimi, promovimi dhe implementimi i programit të debatit në formatin British Parliamentary Debate në UEJL, në kuadër të projektit “Praktiko demokracinë”, i cili zbatohet nga Fondacioni Westminster për Demokraci me mbështetjen e Ambasadës Britanike.
Programi është menduar në radhë të parë për studentët e Fakultetit të Drejtësisë, por gjithashtu është i hapur edhe për studentët e tjerë të të gjitha viteve dhe fakulteteve të Universitetit, të cilët dëshirojnë të zhvillojnë aftësitë e tyre në të menduarit kritik, të folurit para publikut dhe argumentimin e strukturuar. Përvoja e deritanishme e FRA-së tregon se ky program, që tashmë dy vite zbatohet me sukses, u jep studentëve mundësi të veçanta për të marrë pjesë në gara debati dhe aktivitete akademike të nivelit ndërkombëtar.
Një element i rëndësishëm i programit është edhe mentorimi i studentëve gjatë procesit të trajnimit dhe garave të debatit. Studentët e UEJL-së do të mentorohen nga profesorët e Fakultetit Juridik, Asoc. Prof. Dr. Albana Metaj dhe Doc. Dr. Fjolla Kaprolli, të cilat tashmë kanë ndjekur trajnimin e ofruar nga Fondacioni Westminster për Demokraci dhe do të udhëheqin grupet e debatit që do të krijohen në UEJL.
Klubi i debatit në UEJL do të udhëhiqet nga vetë studentët, duke krijuar një traditë që çdo vit përfshin gjenerata të reja dhe fuqizon pjesëmarrjen e tyre në procese demokratike dhe akademike.
