Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) ndjen detyrim të reagojë publikisht ndaj shkrimeve tendencioze dhe të pavërteta të publikuara nga Emira Selimi, ish-studente e këtij institucioni, të cilat përbëjnë jo vetëm një tentativë për të njollosur figurën e stafit akademik, por edhe një përpjekje për të sulmuar kredibilitetin dhe integritetin e vetë institucionit.
Emira Selimi, gjatë kohës së studimeve të saj në UEJL, ka qenë pjesë e aktiviteteve akademike dhe kulturore, ku jo rrallë ka shprehur admirim për profesorët dhe kontributet e tyre, si dhe për vetë institucionin. Është e dokumentuar se në atë periudhë, me entuziazëm ka marrë pjesë në projekte dhe ka pranuar botime të dhuruara, përfshirë libra për “Kompleksin e Alfabetit – Manastir”, duke lavdëruar autorët dhe kontributet e tyre shkencore e kulturore. E njëjta atëherë përpiqej të sigurojë favore, ndoshta edhe nota jomeritore, përmes një sjelljeje që sot bie ndesh me deklaratat që ajo bën publikisht.
Kjo kthesë në qëndrim ngre pyetjen thelbësore: ku e ka hallin dhe kompleksin personal Emira Selimi? A ishte gabim ajo sjellje e atëhershme – kur ajo lëvdoi e kërkoi favore akademike – apo është gabim tani, kur me mllef dhe shpifje tenton të sulmojë ata që nuk i shërbyen përfitimeve të saj?
Po ashtu, është e rëndësishme të theksohet se UEJL funksionon mbi standarde të qarta të cilësisë, transparencës dhe meritokracisë, dhe si i tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë vend për skema individuale që bien ndesh me këto vlera. Nëse ndonjë individ është ndier i “shpërblyer” në mënyrë të pamerituar, kjo nuk ka ardhur asnjëherë si rezultat i politikave institucionale apo i sistemit të vlerësimit në UEJL, i cili mbikëqyret rregullisht nga mekanizma të brendshëm dhe të jashtëm të akreditimit dhe sigurimit të cilësisë.
Prandaj, deklaratat publike që përpiqen të njollosin institucionin në tërësi, për shkak të një përvoje individuale të ndërtuar mbi iluzione për përfitime pa meritë, janë të papranueshme dhe i konsiderojmë pjesë e një frustrimi personal që nuk gjen vend në diskursin publik serioz.
UEJL mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes së integritetit akademik përmes një sistemi të ndërtuar mbi dije, përkushtim dhe standarde ndërkombëtare.
