Në mjediset e Universitetit "Marin Barleti" në Tiranë, tashmë është hapur "Salloni i Librit", ku të gjithë autorët, botuesit dhe miqtë e librit janë ftuar që t’i sjellin dhe promovojnë librat e tyre, apo librat që i konsiderojnë të rëndësishëm. "Salloni i Librit" ka qëndruar i hapur nga ora 08:30 deri në orën 16:00 çdo ditë. Biseda me studentët dhe të interesuarit e tjerë, shkëmbime librash dhe debate mbi rëndësinë e librit sot dhe të ardhmen e tij, janë temat e bisedave, që u organizuan në këtë sallon gjatë javës së librit.
"Java e Librit" u mbyll me aktivitetin e ditës së shtunë (24 prill 2010), me prezantimin e serisë së librave të prof. Servet Pëllumbit, drejtor akademik i Institutit të sociologjisë (10 libra të periudhës 2000-2010). Gjatë këtij aktiviteti, u organizua edhe një tryezë debati mbi mendimin filozofiko-sociologjik të shprehur në dy botimet e fundit të prof. Servet Pëllumbit “Globalistika – refleksione filozofike për një epokë” dhe “Filozofia e aktualitetit”. Tjetër ngjarje e rëndësishme ishte edhe prezantimi i veprës "Fjalori i Sociologjisë", i dr. Ali Pajazitit, nga Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) të Tetovës, si e para vepër e këtij lloji dhe në këtë përmasë në gjuhën shqipe. Gjatë aktivitetit u realizua bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjes institucionale midis Universitetit “Marin Barleti” dhe Institutit të sociologjisë.