Konferenca u organizua nga Shoqata Shqiptare e Fizioterapistëve, në bashkëpunim me Universitetin e Evropës Juglindore, duke shënuar një moment të rëndësishëm për zhvillimin akademik dhe praktik të profesionit të fizioterapistit në rajon.
Fjalime përshëndetëse mbajti presidenti i Konferencës, Fadil Rustemi, i cili iu dëshiroj mirëseardhje të gjithë mysafirëve, duke i falënderuar të gjithë për përkrahjen, që nga Universiteti, institucionet publike dhe vetë studiuesit e fushës, që kanë bërë që kjo konferencë të mbahet me sukses.
Në fjalimin e tij përshëndetës, Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, theksoi se zhvillimi dhe rritja jonë si Universitet është graduale, e kujdesshme dhe se entuziazmi dhe profesionalizmi i stafit dëshmon përkushtimin tonë dhe synimin për zgjerim të vazhdueshëm në këtë fushë.
Fjalime përshëndetëse mbajtën edhe ministri i Politikës Sociale dhe Demografisë, z. Fatmir Limani, kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, kryetari i Shoqatës Shqiptare të Fizioterapistëve, Faton Daci.
Dekania e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore, Dr. Danijela Vojtikiv-Samoilovska, në fjalimin e saj prezantoi të arriturat e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore.
Gjatë dy sesioneve të konferencës, pjesëmarrësit ndoqën prezantime shkencore dhe praktike mbi tema aktuale si: trajtimi jo-kirurgjikal i skoliozës, rehabilitimi pas goditjes në tru, terapia vibroakustike, qasjet moderne ndaj dhimbjes së pjesës së poshtme të shpinës, ndikimi i COVID-19 në cilësinë e jetës dhe përdorimi i teknologjive të reja si stimulimi magnetik funksional dhe AI në fizioterapi.
Fokus i veçantë iu kushtua terapisë së avancuar, qasjeve të reja shkencore dhe integrimit të teknologjisë në kujdesin rehabilitues.
Konferenca u përmbyll me falënderime dhe certifikata për kontributin e secilit pjesëmarrës dhe një mesazh të përbashkët për bashkëpunim të vazhdueshëm rajonal dhe ndërkombëtar për zhvillimin e fizioterapisë si profesion thelbësor në sistemin shëndetësor.
