Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

ISCBE 2025: UEJL në Qendër të Debatit Global për Qëndrueshmërinë dhe Inovacionin Ekonomik

Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore organizoi sot (8 maj 2025), edicionin e tetë të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare për Biznes dhe Ekonomi – ISCBE 2025, me temë "Rezilienca dhe Qëndrueshmëria Ekonomike - Sfidat dhe Perspektivat".

Në këtë ngjarje morën pjesë akademikë, studiues dhe profesionistë nga më shumë se 20 vende, të cilët patën mundësi të ndajnë hulumtimet dhe perspektivat e tyre mbi tema kyçe, si zhvillimi i qëndrueshëm, ekonomia qarkore, inteligjenca artificiale, sipërmarrja, marketingu, financat dhe aspektet ligjore të rezistencës ekonomike.

Konferencën e shpalli të hapur, Prof. Dr. Besa Arifi, prorektore për hulumtime dhe bashkëpunim ndërkombëtar, e cila i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, në veçanti hulumtuesit, të cilët kanë kontribuuar me punimet e tyre nga fusha dhe tema të ndryshme studimi.

Mirëseardhje, të pranishmëve, iu dëshiroi edhe dekania e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Hyrije Abazi – Alili, e cila po ashtu i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe të gjithë stafin që ka kontribuuar në organizimin dhe mbarëvajtjen e Konferencës. Ajo u shpreh se qëllimi i konferencës ka qenë dhe është të trajtojmë tema sfiduese dhe interdisiplinare.

Për aspektin organizativ dhe përmasat e konferencës, si dhe të dhëna lidhur me rezultatet e arritura në konferencat e organizuara deri më tani, prezantoi Prof. Dr. Veland Ramadani, Kryesues i Konferencës. Ai theksoi se konferenca është rritur për nga përmasat dhe pjesëmarrja, ndërsa punimet shkencore do të publikohen në Springer Procedings in Business and Economics e indeksuar në Scopus.

Në sesionin plenar, folës kryesor ishin personalitete të njohura akademike, si: Prof. Dr. Christina Theodoraki (Francë), e cila prezantoi në temën “Projektimi i ekosistemeve sipërmarrëse të qëndrueshme dhe reziliente në një botë të pasigurt”, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili prezantoi temën “Shkëputja ekonomike dhe sfidat e reja” dhe Akad. Prof. Dr. Besnik A. Krasniqi (Kosovë), i cili prezantoi temën “Inovacioni për qëndrueshmëri: Si i nxisin institucionet dhe sipërmarrjet modelet e qëndrueshme të biznesit në Evropë ”.

Konferenca i zhvilloi punimet në sesione paralele, me rreth 100 punime shkencore nga 160 autorë, të prezantuara në gjashtë drejtime tematike, duke përfshirë: Qëndrueshmërinë dhe ekonominë qarkore, ekonominë dhe financat, sipërmarrjen dhe biznesin familjar, menaxhmentin dhe marketingun, sistemet informatike dhe inteligjencën artificiale, aspektet ligjore dhe qëndrueshmërinë ekonomike.

Google+