Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

UEJL organizon mbledhje komemorative në nderim të Prof. Dr. Hamit Xhaferit

Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore organizoi sot një mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së Prof. Dr. Hamit Xhaferit, profesor i nderuar dhe bashkëpunëtor i përkushtuar në fushën e gjuhësisë dhe arsimit të lartë.

Në këtë ngjarje përkujtimore, e cila u mbajt në ambientet e Universitetit, morën pjesë familjarë, studentë, profesorë, kolegë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Prof. Xhaferit, për të nderuar kontributin e tij të vyer në akademi dhe shoqëri.

Fjalë përshëndetëse mbajti Rektori i UEJL, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili evokoi kujtime nga takimi i tij i parë me Prof. Xhaferin, duke e përshkruar atë si një figurë të qetë, të përkushtuar dhe të rrallë në profesionalizëm.

“Që nga momenti i parë që e kam njohur, Prof. Hamit Xhaferin e ka karakterizuar një qetësi e rrallë dhe një përkushtim i thellë profesional. Ai ishte i heshtur në paraqitje, por i zëshëm në vepra,” theksoi rektori Bexheti.

Rekuiemin për të ndjerin e lexoi Prof. Dr. Demush Bajrami, Dekan i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, duke e përshkruar Prof. Xhaferin si një figurë të urtë dhe të palodhur që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin akademik të Fakultetit dhe të Universitetit në përgjithësi.

Një pjesë e veçantë e mbledhjes ishte fjala e Prof. Dr. Vebi Bexhetit, bashkëpunëtor i ngushtë dhe koleg disavjeçar i të ndjerit, i cili ndau me të pranishmit kujtime personale dhe profesionale. Ai vlerësoi lart dijen, urtësinë dhe përkushtimin e Prof. Xhaferit në mësimdhënie, hulumtim dhe në rritjen e gjeneratave të reja të gjuhëtarëve.

Në emër të familjes, me fjalë mirënjohjeje dhe përkushtimi, foli vajza e të ndjerit, duke falënderuar institucionin dhe kolegët për respektin dhe kujdesin që i është treguar figurës së të atit.

Google+