Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Me një mbledhje komemorative UEJL nderon jetën dhe veprën e Prof. Dr. Asllan Bilallit

Në organizim të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Evropës Juglindore, u mbajt sot një mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe veprën e Prof. Dr. Asllan Bilallit, një prej figurave themeluese të këtij Fakulteti dhe një ndër personalitetet më të respektuara në fushën e arsimit të lartë dhe drejtësisë në vend.

Në këtë ngjarje përkujtimore, fjalim mbajti Rektori i UEJL, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili vlerësoi lartë angazhimin e profesor Bilallit që nga themelimi i Universitetit, si dhe rolin kyç të tij në ndërtimin e Fakultetit të Drejtësisë.

“Prof. Asllan Bilalli ishte një prej shtyllave të para të këtij Universiteti dhe posaçërisht të Fakultetit Juridik. Kontributi i tij është i paçmueshëm dhe mbetet pjesë e pandashme e historisë sonë institucionale. Si Universitet, shprehim gatishmërinë që, nëse ai ka lënë ndonjë vepër në dorëshkrim, të marrim përsipër botimin e saj, duke nderuar kështu trashëgiminë e tij akademike,” – u shpreh rektori Bexheti.

Për jetën dhe punën e të ndjerit foli edhe Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Adnan Jashari, i cili evokoi me emocion kujtime nga bashkëpunimi shumëvjeçar me Prof. Bilallin, duke e cilësuar atë si shembull të përkushtimit profesional, urtësisë dhe korrektësisë akademike.

Në emër të familjes, të pranishmëve iu drejtua djali i profesorit, Bilall Bilalli, i cili falënderoi Universitetin për nderimin dhe respektin e treguar ndaj figurës së të atit.

Biografinë e shkurtër të jetës dhe karrierës së tij e lexoi Prof. Bekim Nuhiu, bashkëpunëtor i ngushtë i të ndjerit, i cili ndau disa prej momenteve më përfaqësuese të rrugëtimit akademik të Prof. Bilallit.

Në këtë mbledhje përkujtimore morën pjesë familjarë, kolegë, studentë dhe mysafirë të shumtë, të cilët me një minutë heshtje nderuan kujtimin e një prej figurave më të rëndësishme të arsimit juridik në vend.

Google+