Ngjarja u hap me fjalën përshëndetëse të Prorektores për Hulumtim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Besa Arifi, pasuar nga fjala e mirëseardhjes e Doc. Dr. Albana Metaj-Stojanova, koordinatore e Fakultetit Juridik dhe organizatore e këtij aktiviteti. Ajo theksoi rëndësinë e edukimit juridik që në moshë të hershme për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të përgjegjshme.
Ligjëratat u mbajtën nga Prof. Dr. Arta Mero, Prof. Dr. Besa Arifi, Doc. Dr. Albana Metaj, si dhe nga studentet ekselente të Fakultetit Juridik, Era Sadiku dhe Elisa Murseli, të cilat ndanë përvoja, njohuri dhe frymëzuan të rinjtë me prezantimet e tyre interaktive.
Nxënësit u angazhuan në mënyrë aktive në diskutime mbi çështje nga e drejta familjare, penale dhe civile, dhe në fund të aktivitetit u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje.
Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me shkollat e mesme të qyteteve të Tetovës dhe Gostivarit, si: Gjimnazi “Kiril Pejçinoviq”, Shkolla Ekonomike “8 Shtatori”, Shkolla Mjekësore “Nikoll Shtejn”, Shkolla Profesionale “Gjoce Stojçeski”, Shkolla Bujqësore “Mosha Pijade”, Gjimnazi “7 Marsi”, Shkolla Ndërkombëtare “Maarif”, si dhe Gjimnazi i Gostivarit dhe Shkolla Ekonomike në Gostivar.
Shkolla Verore Juridike është dëshmi e përkushtimit të Fakultetit Juridik për të fuqizuar të rinjtë me njohuri themelore juridike dhe për të nxitur tek ta vlerat e drejtësisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut.
