Kjo ngjarje tradicionale u mundësoi maturantëve të njihen nga afër me programet studimore, mundësitë e bursave, kushtet e studimit dhe jetën studentore në kampusin modern të UEJL-së në Tetovë. Aktivitetet e ditës filluan me një fjalim mirëseardhjeje të Rektorit të Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili i inkurajoi ata që të ndjekin rrugën e dijes dhe të bëhen pjesë e një institucioni që ofron arsim cilësor dhe me perspektivë ndërkombëtare.
Gjatë ditës, maturantët morën pjesë në aktivitete të ndryshme, përfshirë prezantimin e fakulteteve dhe programeve studimore në stenda informuese, turin e kampusit, duke vizituar hapësirat moderne të universitetit.
Ligjërata dhe demonstrime praktike nga fakultetet e ndryshme, përfshirë simulimin e një skene krimi nga Fakulteti i Drejtësisë, garën për planin më të mirë të biznesit nga Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë, si dhe prezantime të inovacioneve teknologjike nga Fakulteti i Shkencave Bashkëkohore dhe Teknologjive, kuizi interatktiv nga Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, demonstrim të ushtrimeve praktike të drejtimit të Fizioterapisë dhe të Infermierisë së Përgjithshme nga Fakulteti i Shkencave Shëndetësore, trajnim për shkathtësitë e buta nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkëkohore, si dhe prezantimin e punimeve të studentëve nga Fakulteti i Shkencave Teknike.
Atmosferën festive të ditës e plotësoi solistja e njohur nga Tetova, Fjolla Ibraimi, e cila bashkë me bendin e saj solli energji dhe emocione të veçanta për të gjithë pjesëmarrësit.
"Dita e Hapur" është një aktivitet i rëndësishëm për të gjithë maturantët që duan të bëjnë zgjedhjen e duhur për studimet e tyre të ardhshme. Universiteti i Evropës Juglindore mbetet i përkushtuar në ofrimin e një arsimi të nivelit të lartë, duke përgatitur studentët për tregun global të punës.
