Fjalën e rastit e mbajti Rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili theksoi rëndësinë e arsimit dhe rolin e mësuesve në formimin e shoqërisë. Ai nënvizoi se për një institucion arsimor si UEJL, kjo ditë ka një kuptim edhe më të veçantë, pasi shënon fillimin e ringritjes së vetëdijes kombëtare përmes edukimit dhe arsimit. "Këto janë momentet më të mira për të reflektuar se në kushtet e sotme të lirisë, pothuajse ideale për këtë mision që po bëjmë, nuk jemi sa duhet të vetëdijshëm për këto vlera, që dikush është 'shkrirë si qiriu' për t’i ruajtur dhe kultivuar ato," theksoi Rektori Bexheti.
Një pasqyrë historike të kësaj dite dhe kontributin e arsimit në zhvillimin kombëtar e prezantoi Dekani i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Prof. Dr. Demush Bajrami.
“Kjo, nuk është vetëm një ditë për të nderuar trashëgiminë e atyre që hodhën themelet e sistemit tonë arsimor, por edhe një moment për të reflektuar se sa kemi ende rrugë për të bërë përpara.”, tha Dekani Bajrami
Pjesa artistike e manifestimit u përgatit nën kujdesin e maestros Jeton Pustina, me interpretimin e solisteve Lyra Stafaj dhe Sevdije Rushiti. Ngjarja u pasurua edhe me vallëzimin tradicional "Malësorja", të koreografit Elez Mema, të prezantuar nga grupi i valltarëve të SHKA "Xheladin Zeqiri".
Manifestimi u moderua nga studentja Hava Nasufi dhe u karakterizua nga një atmosferë festive dhe frymëzuese, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të vlerave arsimore e kulturore.
