Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Tryezë e rrumbullakët për përfaqësimin e grave në shkencë - UEJL: Model i Barazisë Gjinore në Akademi dhe Menaxhim

Fuqizimi i grave, sfidat me të cilat përballen ato dhe ofrimi i zgjidhjeve për një të ardhme më të barabartë, ishin çështjet kryesore që u diskutuan në tryezën e rrumbullakët, që u mbajt sot (11 shkurt 2025), në Universitetin e Evropës Juglindore, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë dhe u organizua nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore Bashkëkohore dhe Rrjeti i Grave në Shkencë.

Në këtë ngjarje morën pjesë akademikë dhe profesionistë të shquar, të cilët ndanë përvojat dhe perspektivat e tyre mbi sfidat me të cilat përballen gratë dhe vajzat në shkencë dhe arsim.

Ngjarja u hap nga Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akademik Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe fuqizimit të grave në botën akademike.

“Universiteti ynë është një model i shkëlqyer jo vetëm në vend, por edhe në rajon sa i përket përfaqësimit të barabartë gjinor, si në strukturat menaxheriale ashtu edhe në ato akademike, duke u bazuar gjithmonë në meritokraci dhe jo në kuota të rezervuara,” theksoi Rektori Bexheti.

Ai nënvizoi se barazia gjinore reflektohet edhe në numrin e diplomave të avancuara akademike. Për 23 vite, nga gjithsej 2,915 të diplomuar në nivelin master, 1,717 janë gra dhe 1,198 burra. Ky balancim është edhe më i dukshëm në studimet e doktoraturës, ku 157 janë gra dhe 165 burra.

“Përfaqësimi i barabartë i grave në UEJL është i dukshëm edhe në pozitat drejtuese. Nga gjashtë anëtarë të Ekipit Ekzekutiv të Rektorit, tre janë gra. Po ashtu, në Drejtorinë Rektoriale, nga 15 anëtarë, shtatë janë gra, ndërsa në Senat, nga 31 anëtarë, 12 janë gra dhe në Bordin e Universitetit, nga 7 anëtarë, 2 janë gra”, veçoi Rektori Bexheti.

Ndërsa, Doc. Dr. Elisabeta Bajrami Ollogu, Kryetare e Rrjetit të Grave në Shkencë, dhe Prof. Dr. Besa Arifi, Prorektore për Hulumtime dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, nënvizuan rolin e bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale për gratë në shkencë. Prorektorja Arifi, prezantoi të dhëna të detajuara të përfaqësimit të grave në hulumtime dhe aspektin akademik në UEJL, ku po ashtu barabarësia është evidente.

Në sesionin e parë, ekspertet Doc. Dr. Zebide Ibraimi dhe Arta Xhelili diskutuan mbi "Burnout-in (konsumimin profesional)" dhe ndikimin e tij tek gratë e angazhuara në arsim dhe shkencë.

Sesioni i dytë solli në vëmendje strategjitë për menaxhimin e stresit dhe rritjen e rendimentit të punës, ku Prof. Dr. Urime Demiri Shaipi ndau këshilla të vlefshme mbi këtë temë.

Ngjarja përfundoi me një diskutim të hapur, ku pjesëmarrësit ndanë përvojat dhe sfidat e tyre, duke u pasuar me një fjalim përmbyllës nga Prof. Dr. Merita Zulfiu-Alili, Dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore Bashkëkohore.

Pas përfundimit të tryezës, të pranishmit patën mundësinë të vazhdojnë diskutimet në një koktej rasti, duke thelluar më tej rrjetëzimin dhe bashkëpunimin profesional.

Google+