Në këtë ngjarje morën pjesë studentë, staf akademik dhe ekspertë të fushës, duke diskutuar sfidat dhe zgjidhjet e mundshme për një proces zgjedhor më transparent dhe të drejtë.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në fjalimin e tij të hapjes, theksoi përkushtimin e universitetit për të mbështetur aktivitete të tilla me rëndësi shoqërore. "Ne i mësojmë studentët se sa është e rëndësishme të kemi një proces zgjedhor të drejtë", u shpreh ai.
Për qëllimin dhe rëndësinë e kësaj tryeze diskutuan Prof. Dr. Mertita Zulfiu – Alili, dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore Bashkëkohore, dhe Ioana Cosma, drejtoreshë e IFES në Maqedoninë e Veriut.
Në panelin kryesor, Sam Power, ekspert për financimin politik dhe të partive, dhe Vladimir Georgiev, ekspert për antikorrupsion dhe ish-anëtar i KSHPK-së, ndanë analizat e tyre mbi sfidat aktuale dhe mekanizmat për të rritur transparencën në reklamimin politik në mediat online.
Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit “Paratë, mediat dhe zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe i mbështetur nga Ambasada Britanike në Shkup.
