Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

UEJL përmbyll vitin me risi dhe suksese – Konferenca për media e Rektorit Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti

Tetovë, 20 dhjetor 2024 – Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, mbajti sot konferencën tradicionale për media në përmbyllje të vitit, duke ndarë arritjet kryesore të universitetit dhe planet për të ardhmen.

Rektori Bexheti njoftoi se UEJL-ja ka shënuar një hap historik, duke filluar punën me Fakultetin e Shkencave Teknike, fakulteti i shtatë në kuadër të universitetit, duke e rrumbullakosur ofertën akademike në dy fusha strategjike: Shkencat Shëndetësore dhe Shkencat Teknike. Këto programe adresojnë kërkesat në rritje të tregut të punës dhe përfaqësojnë një zhvillim të rëndësishëm për universitetin dhe rajonin.

Sipas të dhënave të paraqitura nga Rektori Bexheti, UEJL –ja ka shënuar një rritje prej 7,5% të regjistrimeve këtë vit, një rekord i arritur përmes zgjerimit të ofertës akademike dhe rritjes së interesimit në Fakultetin e Shkencave Shëndetësore dhe atë të Biznesit dhe Ekonomisë. Kampusi në Tetovë ka rikthyer interesin në rajonin e Pollogut me një rritje prej 25%, ndërsa Kampusi në Shkup ka mbetur stabil, duke akomoduar 30% të numrit total të studentëve. Rektori, gjithashtu, theksoi rikthimin e studentëve që ndjekin mësim në gjuhën maqedonase, me një rritje prej 3% krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 12% të numrit të përgjithshëm të studentëve të regjistruar.

UEJL-ja ka shënuar përparime në cilësinë dhe sasinë e publikimeve shkencore, ku 30% e tyre janë botuar në revista ndërkombëtare prestigjioze. Universiteti, gjithashtu, ka siguruar financime nga donatorë multilateral dhe bilateral, duke arritur kulmin me përfshirjen në aleancën “EU Challenge”. Ky projekt i rëndësishëm, me një buxhet prej 1.2 milionë euro për UEJL-në për katër vitet e ardhshme, fokusohet në krijimin e platformës digjitale me standardizim të plotë deri në inteligjencën artificiale. Projekti ofron mundësinë e vazhdimit edhe për katër vite të tjera.

Një nga risitë më të rëndësishme për vitin ishte Programi i akselerimit 700, i cili synon fuqizimin e startupeve dhe nxitjen e sipërmarrjes në rajon. Rektori Bexheti theksoi se kjo qendër inovacioni dhe bashkëpunimi, e zhvilluar nga BIC, ka për qëllim të promovojë zgjidhje të qëndrueshme dhe të kontribuojë në rritjen ekonomike të vendit dhe rajonit.

Duke përmbyllur fjalimin e tij, Rektori Bexheti vlerësoi qëndrueshmërinë financiare afatgjate të UEJL-së dhe theksoi se buxheti i alokuar mbetet i pandryshuar pavarësisht rotacioneve politike, duke dëshmuar stabilitetin dhe vizionin strategjik të institucionit.

Konferenca e fundvitit vuri në pah arritjet e mëdha të UEJL-së dhe tregoi përkushtimin e tij për të mbetur lider në arsim dhe kërkim shkencor në rajon dhe më gjerë.

Google+