Ekspozitën e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili u shpreh mjaft i kënaqur me pjekurinë profesionale të studentëve, të cilët tashmë po realizojnë punime shumë komplekse.
“Ju përgëzoj për punën e bërë dhe në këtë ekspozitë, po e shohë finalizimin e Fakultetit të Shkencave Teknike, që me shumë sakrifica dhe përkushtim është krijuar. Kompleksiteti i punimeve dhe stafi i përkushtuar dëshmon se produktin për Fakultetin e ri e kemi të gatshëm. Studentët e Arkitekturës dhe Dizajnit nga viti i ardhshëm do ta kenë edhe laboratorin e specializuar dhe shumë nga punimet do të mund t’i realizojnë edhe teknikisht në këtë laborator.”, theksoi mes tjerash Rektori Bexheti në fjalimin e tij.
Në këtë ekspozitë punimet e tyre i kanë ekspozuar studentët e vitit të parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, përkatësisht nga semestri i dytë deri në semestrin e tetë të studimeve.
