Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë mbajti konferencën e 7-të shkencore ndërkombëtare të biznesit dhe ekonomisë (ISCBE 2024) në Vila Real të Portugalisë

“Navigimi i pasigurisë ekonomike: Përshtatja, Inovacioni dhe Rezilienca në një botë me kriza”, ishte tema e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare të Biznesit dhe Ekonomisë (ISCBE 2024), që u mbajt më 24 qershor në Universitetin e Trás-os-Montes dhe Alto Douro (UTAD), në Vila Real , Portugali.

“Konferenca dëshmon se bashkëpunimi dhe produktiviteti shkencor i tejkalon kufijtë vendor dhe rajonal dhe këtu së bashku me kolegët nga Universiteti nikoqir, u trajtuan tema që na përfshijnë të gjithëve”, tha Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad.Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti. Ai falënderoi nikoqirët për pritjen dhe organizmin e shkëlqyer të kësaj konference të rëndësishme mbi biznesin dhe ekonominë.

Në fjalimin e mirëseardhës, Rektori i Universitetit Trás-os-Montes dhe Alto Douro, Prof. Dr. Emídio Gomes, falënderoi studiuesit dhe përfaqësuesit e UEJL-së për pjesëmarrjen, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në sfera të interesit të përbashkët.

Konferencën e përshëndeti edhe dekania e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Hyrije Abazi Halili, e cila theksoi se interesi për të marrë pjesë në konferencë ka qenë mjaft i madh, si dhe dha një pasqyrë të konferencës së 7-të të ISCBE dhe rrjedhën e konferencave të mëparshme. Ajo theksoi se tema e konferencës është gjithëpërfshirëse dhe ofron mundësi për hulumtuesit të japin rekomandimet e tyre.

Konferenca i zhvilloi punimet në pesë sesione, në të cilat u diskutua mbi çështjet e ekonomisë bashkëkohore, si: Qëndrueshmëria dhe Ekonomia Qarkore, Informacioni dhe Sistemet Kompjuterike, Shkenca e të Dhënave dhe Inteligjenca Artificiale, Ndërmarrësia Inovacioni dhe Biznesi Familjar, Menaxhimi dhe Marketingu, Ekonomia dhe Financat.

Google+