Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U promovua gjenerata e 20-të jubilare e absolventëve të Universitetit të Evropës Juglindore

Në praninë e prindërve dhe familjarëve të shumtë, përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe qendror, ambasadorëve të Gjermanisë dhe Mbretërisë së Holandës, stafit akademik e administrativ, sot (8 qershor 2024), u promovua gjenerata e 20-të jubilare e absolventëve të Universitetit të Evropës Juglindore.

Në fjalën e tij të hapjes, kryetari i Bordit të Universitetit, Prof. Dr. Klaus Tochtermann, tha se ky vit jubilar i promovimit të absolventëve shënon një moment historik i rëndësishëm jo vetëm në jetën tuaj, por edhe për UEJL-në në tërësi.

“UEJL krenohet me ofrimin e një qasjeje moderne dhe ndërkombëtare ndaj të mësuarit, duke u zhvilluar vazhdimisht për të përmbushur kërkesat e hulumtimit dhe mësimdhënies. Ky fondacion u ndërtua mbi një bashkëpunim unik midis Evropës dhe SHBA-së, për të cilin ne u jemi mirënjohës donatorëve tanë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.”, theksoi mes tjerash kryetari Tochtermann.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shaqiri, theksoi se “Kjo ngjarje është një sukses i madh jo vetëm për absolventët, por edhe për institucionin tuaj, që është një fidanishte e kuadrove cilësore, që janë e tashmja dhe ardhmja e vendit”.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në fjalimin e tij i porositi absolventët që si qytetarë akademikë në këtë shoqëri të bëhen të përgjegjshëm si ndaj vetes, familjes, por edhe shoqërisë sepse ardhmëria është në duart e tyre.

“Ju jeni gjeneratë jubilare, e 20-ta, që numerikisht shkon në gjithsej rreth 30.310 studentë të regjistruar në kumulativ, në të tre ciklet studimore, përfshirë këtu edhe ata që aktualisht e kanë statusin e studentit. Deri sot, vetëm rreth gjysma e tyre kanë diplomuar, më saktë gjithsej 16.350 studentë. Qindra profesorë e pedagogë nga vendi, rajoni, por edhe ndërkombëtarë, të organizuar në gjashtë fakultete, tre qendra dhe tre institute, me gjithsej 80 programe studimore, në tre cikle, të mbështetur edhe nga stafi administrativ dhe logjistik, dhanë dhe vazhdojnë ta japin kontributin e tyre në këtë kapital.”, theksoi mes tjerash në fjalimin e tij, Rektori Bexheti.

“Le të jemi ne brezi që ndryshon botën me punën dhe përkushtimin tonë. Le të jemi shembulli se ëndrrat mund të realizohen me dëshirë dhe vendosmëri. Dhe mbi të gjitha, le të kujtojmë se suksesi nuk matet vetëm me arritjet tona personale, por edhe me ndikimin pozitiv që kemi në shoqëri.”, tha në fjalimin e saj në emër të gjithë absolventëve, studentja me notë më të lartë mesatare Kaltrina Ismali, nga Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore.

Këtë vit për anën artistike u kujdes këngëtarja e njohur nga Tetova, Fjolla Ibrahimi, e cila është Alumni e Universitetit dhe këngëtari Agim Poshka, që interpretoi këngën e Universitetit “Zëri i Dijes”.

Google+