“Ky është edhe një kontribut i akademisë për të treguar se tregu i punës në Maqedoninë e Veriut është asimetrik dhe këtë paralajmërim në UEJL e kemi thënë shumë më herët. Përqendrimi i universiteteve dhe politikave arsimore duhet të jetë në krijimin e kuadrove profesionale, të cilat i kërkon tregu”, tha në fjalimin e tij përshëndetës Rektori Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.
Drejtori i Fondacionit Fridrih Ebert, Dr. Peter Hurrelbrink, tha se sot po shënojmë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet fondacionit dhe Universitetit të Evropës Juglindore dhe kontributi i panlistëve e në veçanti i akademisë është shumë i rëndësishëm.
Panelistë të këtij debati ishin, Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Vlladanka Trajkoska, drejtoreshë e Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, Durim Zekiri drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Avni Ismaili, drejtor për Planifikim Strategjik dhe Buxhet në Agjencinë për Punësim, udhëheqësja e Qendrës së Karrierës së UEJL-së Lumturije Memedi-Sinani dhe moderator ishte Valon Sadiki.
Një atmosferë konstruktive u zhvillua edhe në pjesën e pyetjeve të studentëve në kuadër të panelit, ku u parashtruan pyetje për zhvillimin e mundësive të reja për punësim dhe çështje të lidhur me temën kryesore.
