Garat u organizuan për herë të dytë radhazi nga Fondacioni Halimi, me mbështetjen e Ambasadës së Holandës në Tiranë.
Në këtë edicion të garave pjesëmarrëse ishin 16 skuadra të fakulteteve të drejtësisë nga Republika e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Pas përgatitjes disamujore dhe tre raundeve të ballafaqimit verbal, UEJL me sukses arriti në finale, ku u ballafaqua dhe ngadhënjeu ndaj Universitetit të Elbasanit ''Aleksandër Xhuvani''.
Juria, e cila vlerësoi perfomacën e skuadrave, përbëhej nga gjykatësit: Gerd Hoxha, Betim Jahja, Aulona Bodo dhe Prof. Fejzulla Berisha.
Garat janë zhvilluar në dy faza, në fazën e përgatitjes dhe parashtrimit të shkresave për rastet gjyqësore përkatëse, në të cilën fazë disa nga fakultetet edhe u diskualifikuan dhe në fazën e dytë dhe përfundimtare, ku pjesa tjetër e skuadrave kanë vijuar me gjykimin e simuluar verbal.
Skuadra e UEJL-së kishte një paraqitje brilante në të gjitha raundet dhe u vlerësua lartë nga juria për përgatitjen profesionale, hulumtimin e bërë dhe nivelin e lartë të shkresave të dorëzuara, prezantimin oral, bashkëpunimin e skuadërs si dhe gatishmërinë dhe mënyrën e përgjigjes ndaj pyetjeve të parashtruara si nga skuadrat kundërshtare ashtu edhe nga juria.
