Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ishte i pranishëm ministri i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë, Nexhati Jakupi, ambasadori Italian në Shkup, Donatino Markon, përfaqësuesi i firmës italiane “D’Appolonia”, e cila do të bëjë realizimin e këtij projekti, Marko Kremonini dhe përfaqësuesi i Ministrisë Italiane të Mjedisit Jetësor, Tokës dhe Detit, Kristijan Melis. Rektori i UEJL, akademik Alajdin Abazi, tha se deri më tani është përpiluar projekti EKO – Kampus, i cili do ta veçojë UEJL-në si shembull të vetëm në rajon, në gjenerimin zero emetim të dioksidit të karbonit. Rektori Abazi, tha se faza e parë e projektit është përgatitja e Planit të veprimit klimatik, i cili si rezultat përfundimtar do të japë dokumentin në formën e fizibiliti-studimit të projektit EKO – kampus. Faza tjetër është automatizimi, kontrolli dhe pilot-zgjidhja për impiantin fotovoltik, i cili kryesisht do të përdoret për qëllime kërkimore në fushën e energjisë. Përcaktimi i programit për arsimin formal, kryesisht në nivel të studimeve pasuniversitare, rezulton me realizimin e laboratorit për hulumtim në fushën e burimeve të energjisë së ripërtërishme.
Ambasadori italian në Shkup, Donatino Markon, tha se realizimi i këtij projekti është rezultat i bashkëpunimit të mirë që e realizojmë me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe UEJL-në. Ky është njëri nga projektet, që dëshirojmë të realizohet në bashkëpunim me institutin “Area” nga Trieshta me të cilin filluam një bashkëpunim të mirë, ku si synim kryesor kemi investimin në energjitë e ripërtërishme, efikasitetin energjetik dhe trajtimin e hedhurinave.
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nexhati Jakupi, tha se kjo ministri ka një bashkëpunim shumë të ngushtë me Ministrinë e Mjedisit Jetësor, Tokës dhe Detit të Italisë. Rezultat i këtij bashkëpunimi është edhe nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje për realizimin e projektit të EKO-kampusit. Projekti është në fazën fillestare, kurse që nga viti i ardhshëm pritet të fillojë transferimi i teknologjive. Kjo, në praktikë do të thotë se ne jemi duke i përmbushur synimet tona në aksionin global për ndryshimet klimatike.
Qëllimi projektit është të vendosë masa të larta për efikasitetin e energjisë dhe teknologjisë për burimet e reja energjetike në UEJL, tha drejtori i kompanisë D’Apolonia, Marko Kremonini.