Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

UEJL e mbylli vitin me rritje të numrit të studentëve të rinj të regjistruar dhe investime rekorde në infrastrukturën e Teknologjive Informatike

Rritja e numrit të studentëve të rinj të regjistruar, zgjerimi i ofertës akademike, rritja e numrit të projekteve hulumtuese , bursat, transparenca dhe llogaridhënia ishin disa nga komponentët kryesor që Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i shpalosi para gazetarëve, në konferencën tradicionale të fundvitit, që u mbajt të enjten (21 dhjetor 2023), në Tetovë.

“Numri i studentëve që janë regjistruar i ka tejkaluar edhe pritshmëritë, pasi kemi arritur të regjistrojmë mbi një mijë studentë. Në këtë komponentë mbetemi që të vazhdojmë me ofertat e reja akademike, sepse tani jemi duke punuar në zgjerimin e njësive akademike, nga 6 në 7, sepse jemi në regjistrim e sipër të fakultetit të ri, pra, Fakultetin e Shkencave Teknike, e që shkon në drejtim të kërkesave dhe specifikave që kërkon tregu i punës.”, theksoi Rektori Bexheti.

Lidhur me bursat studentore, Rektori Bexheti, theksoi se mbetet pakoja e njëjtë e bursave, sipas së cilës studentët e ri i fitojnë bursat sipas suksesit në shkollën e mesme, por me një ndryshim, duke e zgjeruar me ofrimin e bursave për studentët që nuk e kanë arritur sukses në shkollën e mesme. Bëhet fjalë për modelin e “rrotullimit”, që u mundëson studentëve aktual të fitojnë bursë nga suksesi i treguar gjatë studimeve, duke përfituar nga humbja e bursës nga studentët që e kanë fituar atë me automatizëm nga suksesi në shkollën e mesme.

Rektori më tej bëri të ditur se edhe është rritur numri i hulumtimeve shkencore që realizon stafi akademik në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

“Numri i projekteve shkencore ka tejkaluar kapacitetin e mundësive të UEJL-së, që gati se nuk ka staf akademik, por edhe një pjesë e konsiderueshme i stafit administrativ, që nuk është i kyçur në një apo më tepër projekte shkencore”, u shpreh Rektori Bexheti.

Lidhur me investimet në infrastrukturën e Kampusit në Tetovë, Rektori nënvizoi se gjatë këtij viti është investuar një shumë rekorde prej rreth 1 milion eurove nga buxheti i Universitetit për mbajtjen dhe zhvillimin kondicionit fizik, ku janë rikonstruar dy objekte të konvikteve dhe objektet për fakultetit të ri dhe është ndryshuar krejt infrastruktura e teknologjive informatike.

UEJL është shumë aktual si kontribuues me ndikim shoqëror, në krijimin e standardeve të reja në arsimin e lartë dhe është i pranishëm në të gjitha trupat rregullues të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut.

“Tashmë edhe universitetet më të mëdha në vend dhe në rajon e shohin UEJL-in si model se si duhet të revidohen standardet në arsimin e lartë, si në pjesën e lirisë akademike, financiare, lirisë organizative dhe kadrovike”, veçoi Rektori.

Në konferencën për gazetarë ishte i pranishëm edhe krejt menaxhmenti i lartë i Universitetit, Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Hulumtime, Prof. Dr. Besa Arifi, Prorektori për Planifikim Akademik dhe Digjitalizim, Prof. Dr. Adrian Besimi, Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Xhevair Memedi dhe Këshilltarja për Cilësi, Prof. Dr. Veronika Kareva.

Google+