Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore, ambasadorë, përfaqësues të sektorit privat, të organizatave ndërkombëtare, të OJQ-ve dhe palë të tjera të interesuara në këtë fushë.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në cilësinë e folësit kryesor të konferencës theksoi se përfaqësimi i grave në tregun e punës është i disfavorshëm për shkak të rrethanave kulturore e historike. Megjithatë, theksoi Rektori Bexheti, kohëve të fundit ka përparim në përfaqësimin e grave në shumë institucione dhe tregun e punës. Shembull konkret është Universiteti i Evropës Juglindore, ku në udhëheqje të dekanateve dhe rektoratit, janë mbi 50% gra, të cilat bëjnë një punë të mrekullueshme me Universitetin.
Në fjalimin e tij hyrës, ambasadori i Republikës së Sllovakisë, Henrik Markus, përshëndeti këtë konferencë, duke shprehur përkrahjen e ambasadës dhe popullit sllovak për këtë nismë fisnike. Ambasada jonë, ndoshta është e vogël, por gjithmonë bëjmë përpjekje për ta ndihmuar vendin tuaj me sa mundësi kemi, theksoi se Ambasadori Markus.
Në sesionin e parë, me temë: “ Fuqizimi i grave në ndërmarrësi: Perspektiva e Maqedonisë së Veriut, panelistë ishin. Ivana Ulicna, themeluese e HEKIMA, Veland Ramadani, profesor i UEJL-së, Festim Halili, drejtor i FIZHT-së dhe Mimoza Thaçi, kryetare e Odës Ekonomike të Grave.
Në sesionin e dytë, me temë: “Ekonomia qarkore dhe biznesi i qëndrueshëm: Gratë që udhëheqin ndryshimin”, panelistë ishin: Ivana Males, bashkëthemeluese e Institutit për Ekonominë Qarkore (INCIEN), Olimpija Hristova Zaevska, konsulent, Shenaj Haxhimustafa, profesoreshë në UEJL dhe Fatmir Ejub, drejtor i Alpak-Eko.
Në sesionin e tretë, me temë: “Gratë në teknologji: Navigimi në kufirin digjital”, panelistë ishin: Florije Ismaili, profesoreshë në UEJL, Monika Rizovska Tanevska, ambasadore e Women in Tech, Vlora Ademi, menaxhere e Digicube dhe Era Memeti, menaxhere, Inspire 11.
